Lajme

Deda: Kosova sot mori mesazhin më të rëndë nga ShBA-ja

By GAZETA SCANNER 1

February 13, 2024

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës Ilir Deda, ka thënë në emisionin Rubikon se sot Kosova ka marrë mesazhin më të rëndë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Në diplomaci zakonisht kur dalin mesazhe të tilla të rënda në publik. Ajo është faza finale e përplasjes mes dyja vendeve. Nuk është lehta që ata me ia dhënë një mesazh të tillë Kosovës, sepse ata janë munduar më së shumti që ta përmbyllin suksesshëm pavarësinë tonë, ne po harrojmë që se kemi përmbyllur shtetësinë në aspektin ndërkombëtar”, tha Deda në Klan Kosova.

“Mund ta imagjinojmë brishtësinë e raporteve, por të njëjten kohë në Kosovë duhet të dihet se me superfuqi, nuk ka prishje të raporteve dhe rregullim pastaj. Vendimet të cilat merren nuk janë afatshkurta, sepse një administratë e tërë e cila e ndërton një pozicion të ri nuk kthehet lehtë pas më vonë e sidomos për Shtetet e Bashkuara”, theksoi ai.

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien, tha se Shtetet e Bashkuara janë shumë të shqetësuara me vendimin e qeverisë së Kosovës për të mos lejuar përdorimin e dinarit.

O’Brien, në një intervistë për Zërin e Amerikës, theksoi se me këtë qëndrim, qeveria e Kosovës ka vënë në pikëpyetje partneritetin me Shtetet e Bashkuara.

“Unë nuk bëj kërcënime të vagëta në publik. Unë do të thosha, që nëse ne nuk trajtohemi si partner, edhe ne nuk do ta trajtojmë qeverinë e Kosovës si partnere”, tha O’Brien.

“Kosova duhet të tërhiqet nga vendimi për dinarin, thotë zyrtari i lartë amerikan. Ndonëse Shtetet e Bashkuara e kishin këshilluar qeverinë e Kosovës kundër një veprimi të tillë, ajo vendosi ta zbatojë atë, pa konsideruar këshillat e partnerëve kryesorë”, thotë O’Brien.