Botë

“De Telegraaf”: Sekretari i NATO-s do t’i shkojë Trumpit në rezidencën e tij në Florida

By GAZETA SCANNER 1

November 22, 2024

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, do ta vizitojë presidentin e zgjedhur amerikan, Donald Trump, në rezidencën e miliarderit në Florida të ShBA-së, raportoi të premten gazeta holandeze “De Telegraaf”, duke cituar burime.

Sipas kësaj gazete, Rutte ka udhëtuar me një aeroplan qeveritar holandez. Pasi sekretari i NATO-s nuk ka aeroplan personal për shfrytëzim, aleanca shpesh merr me qira aeroplan nga vendet anëtare të aleancës, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Radarët e fluturimeve në internet shfaqën një aeroplan qeveritar holandez duke aterruar në Florida.

As Qeveria e Holandës, as NATO-ja nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesës për koment.

Rutte, ish-kryeministër i Holandës, shihet gjerësisht si njëri nga udhëheqësit më të suksesshëm brenda BE-së sa i përket ballafaqimit me Trumpin gjatë mandatit të parë të amerikanit në krye të Shtëpisë së Bardhë, transmeton nacionale.

Në të kaluarën, Trumpi ka kërcënuar se nuk do t’i mbrojë shtetet e NATO-s që nuk shpenzojnë mjaftueshëm në fushën e mbrojtjes dhe është zotuar se do t’i japë fund shpejt luftës në Ukrainë, pa treguar se si do ta arrijë këtë.

Ka shqetësime që administrata e re amerikane mund t’ia kufizojë ndihmat ushtarake Kievit, duke e detyruar që të ulet në tavolinën e bisedimeve dhe të bëjë kompromise për ta kënaqur Rusinë.