Sport

Datën e zyrtarizimit të transferimit në Real Madrid do ta vendosë vetë Mbappe

By GAZETA SCANNER 1

April 04, 2024

Që kur në mesin e muajit shkurt Kylian Mbappé i kishte njoftuar formalisht drejtuesit e Paris Saint-Germainit se do të largohej kur do të përfundonte kontrata e tij, më saktësisht në fund të këtij sezoni, pozicioni i tij brenda skuadrës ka ndryshuar.

Nga ai moment, trajneri Luis Enrique ka nisur ta zëvendësojë sistematikisht dhe më shumë se një herë, ylli francez është mllefosur, siç ndodhi edhe në ndeshjen e fundit kundër Olympique Marseille.

Mbappe ishte i vetëdijshëm që ky vendim do të mundë të sillte tensione në ambientin e klubit.

Qysh në verën e vitit të kaluar gjatë një periudhe të turbullt kur lojtari s’kishte vendosur ende, tensionet kanë nisur në “Parkun e Princave”, ndonëse presidenti Nasser Al-Khelaifi e kishte bindur të qëndronte në Paris, ndërkohë që lojtari ishte lënë jashtë turneut të Azisë.

E në Madrid thuhet se lojtarit i është lënë të vendos gjithçka, shkruan mediumi spanjoll “Marca”.

Ish-futbollisti i Monacos pritet të nënshkruajë kontratë pesëvjeçare me “Los Blancos”, ndërsa i është lënë në duar të tij që ta vendos datën kur do të zyrtarizohet transferimi.

Natyrisht, me kusht që kjo datë do t’i përshtatej edhe trajnerit Carlo Ancelotti, pra të mos bëhet para kohe për ta çrregulluar ekipin madrilen.

Pra, do të jetë Mbappe ai që do të vendosë se kur do të zyrtarizohet gjithçka.

Mbappe nuk ka dashur t’i prishë marrëdhëniet me tifozët e PSG-së dhe ia ka vënë kusht Realit të mos bëjë kurrfarë zyrtarizimi apo arritje të marrëveshjes gjatë sezonit që po luhet, mbi të gjitha për faktin se këto dy ekipe mund të përballen mes vete në finale të Ligës së Kampionëve.