Ballina

DASh: Kosova dhe Serbia t’i zbatojnë plotësisht detyrimet e Marrëveshjes Bazë dhe aneksit

By GAZETA SCANNER 1

December 08, 2023

Që nga fillimi i bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi në vitin 2011, perëndimi e ka theksuar se ky është kusht për integrimet evropiane.

Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit i tha Zërit të Amerikës se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbështesin fuqishëm bisedimet e lehtësuara nga BE-ja si e vetmja rrugë për të arritur një marrëdhënie paqësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Për këtë arsye, ne përsërisim thirrjet tona për qeveritë e Kosovës dhe Serbisë që të bëjnë përparim konkret në angazhimet që kanë marrë në kuadër të marrëveshjes së normalizimit dhe presim që të dyja vendet të zbatojnë plotësisht të gjitha detyrimet e tyre sipas Marrëveshjes Themelore dhe aneksit të zbatimit të saj”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të DASH-it në të cilën ritheksohet përkushtimi i Shteteve të Bashkuara për të mbështetur Serbinë, Kosovën dhe të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor për të përmbushur aspiratat e tyre për integrim evropian dhe anëtarësim në institucionet euroatlantike.

Gjatë ditës së djeshme, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, tha në Bruksel se ka progres në zbatimin e disa marrëveshjeve të arritura në dialogun ndërmjet të dyja palëve.

Ai e tha këtë gjatë debatit për zgjerimin të zhvilluar nga organizata “Miqtë e Evropës“.

Lajçak theksoi se e ardhmja evropiane e rajonit të Ballkanit Perëndimor nuk mund as ëndërr të shihet pa normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është një çështje me rëndësi strategjike. Pa këtë normalizim nuk mund as të ëndërrojmë të ardhmen evropiane. Kemi progres kohëve të fundit në këtë drejtim. Së shpejti do ta mbyllim dosjen e energjisë, ka progres në çështjen e targave, në çështjen e personave të pagjetur, në çështjen e zgjedhjeve lokale në veri dhe në zbatimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve”, deklaroi Lajçak duke shtuar se ai është në kontakt të vazhdueshëm me palët për të vazhduar me zbatimin.