Sport

“Dardanët” ia bëjnë “sefte” stërvitjeve në shtator

By GAZETA SCANNER 1

September 02, 2024

Kombëtarja e Kosovës ka nisur përgatitjet për dy ndeshjet e para të edicionit të ri të Ligës së Kombeve me entuziazëm dhe përkushtim të madh.

“Dardanët” u rikthyen në kampin stërvitor me synime të qarta për një rrugëtim të suksesshëm në këtë edicion.

Në seancën e parë stërvitore, përzgjedhësi Franco Foda kishte në dispozicion 15 futbollistë, ndërsa lojtarët që zhvilluan ndeshje me klubet e tyre të dielën, u përqendruan në rigjenerim në palestër.

Atmosfera në kampin dardan ishte jashtëzakonisht pozitive, e cila u theksua edhe më shumë me ardhjet e reja në skuadër si Elvis Rexhbeçaj, Fisnik Asllani dhe Eliot Bujupi, si dhe me rikthimin e Emir Sahitit pas një kohe të gjatë.

Stërvitja e parë u karakterizua pa ndonj ngarkesë të madhe, me përzgjedhësin Foda që u fokusua në dhënien e udhëzimeve për strategjinë dhe taktikat që synon të zbatojë në fushë.

Para fillimit të stërvitjes, skuadra kreu edhe analizën e ndeshjes së fundit kundër Norvegjisë, për të nxjerrë mësimet e duhura dhe për të përmirësuar performancën e ekipit në ndeshjet e radhës.

E pas stërvitjes, opinionet e tyre për faqen zyrtare të FFK-së i dhanë Arjanet Muric dhe Emir Sahiti.

Muric synon hakmarrjen në duelin ndaj Rumanisë.

“Sigurisht që do të jemi të emocionuar të luajmë ndeshjen kundër Rumanisë, dhe mendoj se duhet të marrim revansh tri herë ndaj tyre, kështu që do të bëjmë gjithçka për t’i mundur dhe për t’i bërë ata të ndihen se do të kenë një ditë të vështirë në Kosovë. Mezi presim t’i mundim, të stërvitemi mirë dhe gjithçka tjetër. Ndjehemi shumë të sigurt”, tha ai.

Tutje, edhe Emir Sahiti u shpreh optimist për fitore ndaj Rumanisë.

“Rumania ka një ekip të mirë, por ne duhet të fokusohemi te ekipi ynë dhe besoj se do ta fitojmë ndeshjen kundër Rumanisë. Dardanët janë lojtari ynë i 12-të dhe shpresoj të vijnë në numër sa më të madh, sepse kur i kemi ata prapa ndihemi më të fuqishëm”, tha Sahiti.