Lajme

Dallaveret në konkursin për gradimin e Policëve, IPK-ja del me raport të inspektimit

By GAZETA SCANNER 1

July 08, 2024

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka publikuar raportin e inspektimit të jashtëzakonshëm lidhur me menaxhimin e procesit të gradimit për rreshterë, pas shqetësimeve të ngritura mbi rregullsinë e këtij procesi.

Më herët, raportime nga Dukagjini sugjeronin se kishte pasur parregullsi në testimin me shkrim të mbajtur në fillim të muajit maj, përfshirë favorizime të mundshme për familjarët e eprorëve.

Raporti i IPK-së thekson se procesi i gradimit është shoqëruar me disa dobësi në fazën e konkurrimit, duke ngritur shumë shqetësime dhe ankesa.

Raporti i plotë: RAPORT I INSPEKTIMIT NR. 02-2024 – VLERËSIMI I MENAXHIMIT TË PROCESIT TË GRADIMIT PËR RRESHTER

IPK-ja nënvizon nevojën për rishikimin e bazës ligjore aktuale për të harmonizuar udhëzimin dhe programin e trajnimit themelor, si dhe për respektimin e kritereve të aplikimit.

Një aspekt tjetër i rëndësishëm i raportit është përfshirja e kriterit etnik gjatë krijimit të paneleve vlerësuese, duke marrë parasysh pjesëmarrjen e kandidatëve nga etnitë e tjera. Edhe pse mbarëvajtja e testimit nuk evidentoi ndonjë dobësi të madhe, raporti thekson nevojën për përgatitje më cilësore të procesit nga ana teknike.

“Procesi i gradimit është përcjellur me disa dobësi në fazën e konkurrimit, si rezultat i të cilave janë ngritur shumë shqetësime dhe ankesa lidhur me këtë fazë.

Vihet në pah nevoja e rishikimit të bazës ligjore aktuale, duke marrë parasysh nevojën e harmonizimit të Udhëzimit dhe Programit të trajnimit themelor, si dhe respektimit të kritereve të aplikimit.

Respektimi i kriterit etnik gjatë krijimit të panele vlerësuese duhet të merret parasysh varësisht prej proceseve të gradimit dhe pjesëmarrjes së kandidatëve nga etnitë e tjera. Mbarëvajtja e testimit nuk ka evidentuar ndonjë dobësi përveç nevojës për përgatitje më cilësore të procesit i përket aspektit teknik”, thuhet në raportin e IPK-së.

IPK-ja ka dhënë tetë rekomandime kryesore për Policinë e Kosovës:

“IPK i rekomandon Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë që të rishikojë harmonizimin e Udhëzimit Administrativ Nr. 02/2019 për Procedurën e Gradimit për Zyrtarët Policor, me periudhën e realizimit të trajnimit themelor, duke qartësuar edhe rrugëtimin e personelit nga grada “kadet” deri në gradën “polic i lartë”.

IPK i rekomandon Drejtorit të Drejtorisë për Zhvillimin e Performancës dhe Karrierës që në të ardhmen gjatë përgatitjes së shpalljeve të konkurseve për këtë gradë, të përfshijë edhe kohën e qëndrimit minimal në gradë në mesin e kritereve të aplikimit, drejt respektimit të plotë të kërkesave të Udhëzimit.

IPK i rekomandon Drejtorit të Divizionit të Personelit dhe Administratës që të përkujdeset në aspektin administrativ për kalimin me kohë të zyrtarëve policor nga grada kadet deri në gradën polic i lartë, duke respektuar afatet e parapara me Udhëzim.

IPK i rekomandon Drejtorit të Departamentit të Burimeve Njerëzore që të sigurohet se sistemi PRIMS aplikon masat kufizuese për filtrimin e aplikimeve që nuk plotësojnë kriteret për t’iu nënshtruar proceseve të gradimit. Në raste kur aplikimet kryhen në mënyrë fizike, të sigurohet se ndiqen rregullat e aplikimit, përfshirë dhe shqyrtimin dhe verifikimin e historikut disiplinor dhe penal të kandidatëve.

IPK i rekomandon Drejtorit të Departamentit të Burimeve Njerëzore që të sigurohet se në proceset e gradimit respektohet parimi i përfshirjes në panele edhe të anëtarëve nga radhët e komuniteteve tjera etnike.

IPK i rekomandon Kryesuesit të Komisionit të procesit të gradimit dhe Drejtorit të Drejtorisë për Zhvillimin e Performancës dhe Karrierës që në të ardhmen të sigurohen që kandidatët gjatë aplikimit të kenë të kryer vlerësimin e performancës, si një nga pikat e vlerësimit brenda procesit të gradimit.

IPK i rekomandon Drejtorit të Departamentit të Burimeve Njerëzore, Kryesuesit të Komisionit të procesit të gradimit që të sigurohet se anëtarët e paneleve vlerësuese kuptojnë detyrat lidhur me procesin e testimit me shkrim, si dhe kanë njohuri të nevojshme për plotësimin e evidencave lidhur me materialet e testimit (formularët).

IPK i rekomandon Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës që të ndërmarrë veprime për të evituar çfarëdo dobësie apo lëshimi në këtë proces të gradimit, duke e konsideruar këtë raport si pasqyrues të gjetjeve që mund të kenë dëmtuar kredibilitetin e mbarëvajtjes së procesit në fjalë”, thuhet në raportin e IPK-së.