Lajme

Dalja e parë në skenë e UÇK-së, flet mesuesi dhe luftëtari i lirisë (Video)

By GAZETA SCANNER 1

November 28, 2023

28 nëntori shënon edhe daljen e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në skenë. Këtë ngjarje në përvjetorin e 26-të me emocione e rrëfyen për Tëvë1 personazhe që ishin dëshmitarë të asaj dite të rëndësishme.

“Tha nxënësit a kanë shpëtu Shaban? I thashë po, nxënësit kanë shpëtu. Ani tha për neve s’kemi çka bajmë. Edhe të plagosur, brengë i kishin nxënësit e tyre”, tha Shaban Rreci.

Në këtë formë, Shaban Rreci e fillon rrëfimin e 26 nëntorit të vitit 1998, ditën më të vështirë të jetë së tij.

Pasi atë ditë vjeshte, forcat serbe qëlluan në drejtim të shkollës së fshatit Llaushë, pas një beteje të ashpër me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

E nga këto të shtëna, u plagos rëndë mësuesi Halit Geci dhe vet Shaban Rreci.

“Do kusheri të tij e kanë marrë edhe e kanë çu për spital. Rrugës qysh tregojnë shokët, rrugës nonstop t’u pytë për nxënës e për shokë. Dikur në orët e vona të mbrëmjes kemi marrë vesh që ka ndërru jetë”, u shpreh Rreci.

E në varrimin e mësuesit Halit Geci erdhën nga të gjitha trojet e Kosovës.

Por në këtë ceremoni ndodhi diçka e pazakontë.

“Mësuesi Ilaz Geci e ka marrë fjalën me folë për jetën dhe veprën e mësuesit Halit., t’u folë, ka ardhë ni kerr me tre ushtarë, tre ushtarë të uniformum, me armë, me emblemë të UÇK-së edhe kanë hypë në binë…”, tregoi Shaban Rreci.

E fjalët e këtyre tre ushtarëve shtangën të pranishmit.

Por i gjithë ky skenar deri në daljen publike të UÇK-së po mbahej sekret.

Se varrimi i të atit të tij do të mbetej në histori, nuk e dinte as i biri i Halit Gecit, Lulzimi.

E fjalët që ish Dhjetëshi i UÇK-së, Rexhep Selimi i tha në këtë varrim, i shtangu të pranishmit.

Këto momente i mban mirë në mend, Bekim Geci nga Llausha.

26 vjet pas kësaj dite, autori i deklaratës së daljes publike të UÇK-së, Rexhep Selimi, ndodhet duke u gjykuar në Hagë bashkë me ish krerët e tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.