Lajme

Daka: Votimi më 21 prill është i kundërligjshëm dhe jokushtetues

By GAZETA SCANNER 1

April 13, 2024

Valdete Daka, gjyqtare dhe ish-kryetare e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka qenë e ftuara e radhës në Blic Interview me Astrit Gashin.

Daka sa i përket udhëzimit administrativ, përmes të cilit pritet të shkarkohen kryetarët shqiptarë të katër komunat në veri të vendit, thotë se është jokushtetues dhe joligjorë.

“Unë vazhdimisht e kam cek që udhëzimi administrativ që është nxjerr nga ministria, është jashtë Kushtetutës dhe jashtëligjor, sepse i jep disa kompetenca KQZ të cilat me ligjin, mbi zgjedhjet e përgjithshme KQZ nuk i ka. KQZ sipas Kushtetuës organizon zgjedhje dhe referendume, pra, referendum të cilin tash organizohet më 21 prill KQZ nuk ka fare ligj, sepse së pari duhet të jet një ligj i cili rregullon organizimin e referendumeve dhe pastaj KQZ të vihet në lëvizje. Drejtimi i KQZ nëpërmjet një udhëzimi që është akt nënligjor, vet është i jashtligjshëm, sepse nuk mundet një ministri me i dhanë kompetenca KQZ për diçka që nuk i ka parapa Kushtetuta”, tha Daka.

Tutje ajo potencon se votimi më 21 prill është jo vetëm i kundërligjshëm por edhe jo kushtetues. Ajo shpreson se do të jetë hera e fundit që Kosova organizon diçka të tillë.

“Unë konisderoj që ky votim me 21 prill është jo vetëm i kundërligjshëm por edhe jo kushtetues dhe shpresoj që do të jetë hera e fundit që Kosova organizon diçka të tillë, sepse po të ndodh kjo me të vërtetë do të jetë një precedent i rrezikshëm që do të mund të shfrytëzohet nga cilado qoftë parti, kundër cilitdo qoftë kryetar komune në çdo komunë të Kosovës”, potencoi ajo.

Ish kryetarja e KQZ, thotë se përderisa KQZ nuk e ka ligjin për referendum nuk mundet që vet të caktoj data apo të bëhet ligjvënës.

“Ligji e ka parapa këtë mundësi, por ligji nuk e ka parapa që KQZ vet ta organizon këtë pa e pas një ligj për referendumin, dhe përderisa nuk e ka një ligj të tillë KQZ nuk mundet vet me caktu data, me organzu diçka, pra me u ba ligjvënës, sepse KQZ në këtë rast është vetëm zbatues i lgijit për zgjedhjet e përgjithshme”, shtoi ajo.

Tutje Daka thotë se mënyra më e lehtë do të ishte dorëheqja e kryetarëve ashtu siç janë dorëhequr kryetarët e mëparshëm dhe pastaj të organizohen zgjedhjet e parakohshme.

“E vetmja mënyrë dhe më e lehta ka qenë dorëheqja e këtyre kryetarëve, ashtu sic janë dorëhequr kryetarët e mëparshëm dhe janë organizu zgjedhjet, pastaj të jashtëzakonshme për kryetar të komunave. Në momentin që kryetarët e atyre komunave kanë dhënë dorëheqjen, ka qenë e pashmangshme shpallja e zgjedhjeve, ka qenë e pashmangshme shpallja e zgjedhjeve duke bërë një lloj marrëveshje edhe me subjeketet politike dhe gjithë ata që marrin pjesë në ato zgjedhje, sepse të gjitha zgjedhjet që janë mbajt në veri, kanë qenë pjesë e një dialogu një marrëveshje sepse ne e dim që ajo pjesë e Kosovës është pak më ndryshe, dhe i ka specifikat e veta dhe gjithmonë është dashur që ta kemi një lloj bashkëpunimi një lloj marrëveshje të mëparshme”, u shpreh ajo.

Ajo thekson se KQZ tani nuk do të ketë mundësi që këtë referendum ta organizoj në institucione publike, ku thotë se do të jenë të detyruar që këtë ta bëjnë në vendvotime alternative.

“KQZ tash nuk do të ketë mundësinë ta organizoj këtë referendum në institucione publike pra në shkolla, ashtu sic e parasheh edhe ligji, por me siguri që këta do të jenë të detyruar që këtë ta bëjnë në mënyrë alternative, në vendvotime alternative që jep një pamje pak më ndryshe se zgjedhjet normale që organizohen. Dhe gjithashtu dihet që edhe Lista Sërpska gjithmonë luan me letrën e patriotizmit me letrën e popullizimit, kur i duhet merr pjesë në zgjedhje kur nuk i duhet nuk merr pjesë në zgjedhje, gjithmonë bënë kalkulime politike aq sa i nevoiten për poenat e saj karshi popullit të vet”, tha Daka.