Lajme

Daçiq: Sulmi ndaj policit që po ruante Ambasadën izraelite po trajtohet si akt terrorist

By GAZETA SCANNER 1

June 29, 2024

Zëvendëskryeministri serb, njëherësh ministri i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq, tha se një person i panjohur ka plagosur një pjesëtar të Xhandarmërisë i cili po ruante Ambasadën izraelite në Beograd. Ai tha se ky rast po trajtohet si akt terrorist.

“Edhe pse identiteti i personit nuk është përcaktuar, nuk ka dyshim që ky ishte akt terrorizmi, që kishte për shënjestër edhe shtetin e Serbisë, edhe anëtarët e Xhandarmërisë”, tha Daçiq për gazetarët, teksa vizitoi në Qendrën e Emergjencës policin e plagosur.

Ai tha se ende nuk dihet nëse ky person ka vepruar i vetëm apo ishte pjesë e ndonjë grupi të organizuar, duke shtuar se Zyra e Prokurorit Special ka marrë përsipër rastin.

Paraprakisht, Ministria e Brendshme e Serbisë tha se rreth orës 11:00, një person i panjohur, ” identiteti i të cilit po përcaktohet, qëlloi me hark me shigjeta një anëtar të Xhandarmërisë i cili po ruante Ambasadën e Izraelit, duke e goditur në qafë”.

Në njoftim u tha se pjesëtari i Xhandarmërisë M.J (1990) ka përdorur armën në vetëmbrojtje, duke qëlluar sulmuesin, i cili vdiq si pasojë e plagëve të marra.

Gjatë adresimit para mediave, Daçiq tha se pjesëtarët e Xhandarmërisë serbe rregullisht ruajnë ambasadat, ndërkaq ambasadorëve iu ofrohet një njësi e posaçme e Ministrisë së Mbrojtjes.

Duke dhënë detaje për sulmin, ai tha se sulmuesi iu afrua policit në disa raste, duke e pyetur për një muze dhe gjëra të tjera dhe xhandari i ishte përgjigjur se nuk kishte muze në atë zonë.

“Dhe më pas ky person i panjohur u kthye, hapi derën e ambasadës, duke bartur një çantë nga e cila nxori harkun dhe e qëlloi xhandarin me shigjetë në qafë”, tha Daçiq.

Ai shtoi se sipas informacioneve që ka, polici reagoi menjëherë, nxori armën dhe e qëlloi sulmuesin.

“Ai e qëlloi sulmuesin disa herë dhe pas gjysmë ore ai vdiq”, tha Daçiq.

Pjesëtari i Xhandarmërisë është transportuar në Qendrën Emergjente dhe po i nënshtrohet një operacioni për heqjen e shigjetës që ka në qafë./REL