Lajme

Çollaku: Hapja e Urës së Ibrit pa dakoordim, aventurë e rrezikshme

By GAZETA SCANNER 1

August 06, 2024

Njohësi i sigurisë, Fatmir Çollaku ka thënë se veprimet e Qeverisë së Kosovës në veri janë në kuadër të veprimeve të saja ligjore për luftimin e grupeve kriminale dhe sistemit paralel të Serbisë në atë pjesë të vendit.

Megjithatë ai ka thënë se disa veprime siç është paralajmërimi për hapjen e Urës së Ibrit për qarkullim të veturave pa koordinim me aleatët është i rrezikshëm.

“Parimisht jam që të hapet ura, por jo më  nxitim pa llogaritë interferimet eventuale politike apo të sigurisë. Pa dakordim me bashkësinë ndërkombëtare dhe KFOR-in do të ishte një aventurë e rrezikshme”, ka thënë Çollaku.

I pyetur nëse hapja e urës mund të nxisë tensione, ai ka thënë se aksioni i së hënës për mbylljen e nëndegëve të Postës së Serbisë mund të sjellë implikime.

“Kjo masë bashkë me paralajmërimin për hapjen e urës mund të ketë implikime. Po mos të kishte ndodhë aksioni i fundit gjasat për ndonjë reagim masovik me pasoja kanë qenë më të vogla, tani gjasat janë më të mëdha”, ka thënë ai.

Çollaku ka vlerësuar se Ura e Ibrit është simbol i kufizimit territorial dhe shtrirjes së sovranitetit të cilën serbët synon ta vendosnin si një kufi natyror.

“Ura e Ibrit nuk është veç pengesë fizike është barrierë në kokat e njerëzve, është një personifikim i kufizimit territorial dhe shtrirjes së sovranitetit të pretenduar të pjesës serbe që në një mënyrë apo tjetër të vihet si kufi natyror. Ky është problemi, janë të shpërfaqura pretendimet territoriale të kamotshme të cilat me urnën si pengesë e lëvizjes së lirë është përcjellë mesazhi për kufizim të qarkullimit të kësaj pjese të kësaj etnie në pjesën tjetër ku ka qenë etnia shqiptare me shumicë”, ka thënë Çollaku.

Paralajmërimi i Qeverisë së Kosovës për hapjen e Urës së Ibrit ka ngjallë reagim nga vendet aleate të Kosovës, duke kundërshtuar këtë veprim.

Edhe KFOR-i ka kërkuar që hapja e kësaj ure të bëhet në kuadër të dialogut të Bruksel.