Op/Ed

Ç’ngarkesë është të jesh mërgimtar?

Shkruan: Agron Hoti

Kur dikush emigron në një vend për shkaqe luksi siç ndodh mes vendeve të pasura e ndjen më pak ose fare peshën e mërgimit. Por, kur dikush emigron për shkaqe terrori e mjerimi social siç historikisht kanë emigruar shqiptarët, atëherë atë ngarkesë të rëndë psiqike mund ta përshkruajnë vetëm ata që e kanë përjetuar mërgimin. Si fëmijë, mërgimi kapërdihet ca më lehtë, kurse si i rritur kurrë.

Vetëm kush e ka përjetuar mërgimin e di se sa shpesh e me sa mallë flitet atje për Kosovën e Shqipërinë. Me trup je në mërgim, kurse me mendje në Kosovë e Shqipëri. Prandaj, mërgimtarët janë tepër të ndjeshëm ndaj zhvillimeve në Kosovë e Shqipëri, duan vetëm lajme të mira, thjeshtë duan që Kosova e Shqipëria të shkëlqejnë, sepse pikërisht pse nga pushtuesit s’lejohej shkëlqimi kishin lënë vendin e tyre.

Ashtu siç shqiptarët nuk ishin përzier me martesa me popullsi sllave gjatë sistemit jugosllav, ashtu kujdesen prindërit mërgimtarë shqiptarë që fëmijët e tyre të martohen vetëm me shqiptarë. Ky është rast i rrallë në botë, ku prindërit në mërgim duan që me çdo kusht ta ruajnë qenien shqiptare. Por, nuk duhet harruar se ky kujdes martesor jo rrallë shkakton ngarkesa shtesë psiqike për mërgatën tonë për shkak të rrethanave dhe realiteteve ku jetojnë dhe pse jo për shkak të shkallës së lartë kozmopolite nëpër vende perëndimore. Muajtë dasmorë të korrikut dhe gushtit tregojnë më së miri këmbënguljen e mërgatës sonë për ruajtjen e qenies shqiptare duke martuar fëmijët e tyre vetëm me shqiptarë. Kjo ndoshta nuk duket kozmopolite, por shqiptarët e kanë vënë kombin para të gjithave dhe duan që njëherë të përzihen sa më shumë mes vete drejt unifikimit e pastaj të kozmopolitohen, kjo e fundit nëse e nevojshme. E këtë goxha shumë ia kanë arritur, kur shqiptarë nga troje të ndryshme sot martohen mes vete. Prandaj, kjo është një e arritur e madhe që u mundësua në nivel mërgate. Shqiptarët në mërgim kanë mundur të ndërtojnë ura bashkëpunimi shumë më tepër si rezultat i lëvizjes së lirë, se ç’kishin mundësi shqiptarët e ndarë në disa shtete të Ballkanit që pengonin këtë shpërthim bashkëpunimi.

Për të rregulluar përfundimisht statusin e tyre, detyrohen të marrin nënshtetësitë e vendeve pranuese, por mendjen megjithatë e kanë në Kosovë e Shqipëri. E keni parë ngarkesën psiqike të Xhakës e Shaqirit në botërorin e futbollit kundër Serbisë në vitin 2018. Ata në fakt luanin për Zvicrën, por në duart e tyre të shqiponjëzuara – pas shënimit të golave kundër Serbisë – qartazi mund të lexoje një histori të tërë të një populli të përvuajtur për fitore, të një populli që pushtuesit i kishin ndalur historinë, e historinë i kishte ndalur pikërisht ajo Serbia kundër së cilës po luanin Xhaka e Shaqiri e shqiptarë të tjerë.

Edhe Rita Ora e Dua Lipa mund të “luajnë” për Anglinë, por në frymimin e tyre lexon ngarkesën e tyre të dhimbshme të shqiponjës dykrenare, lexon historinë e prindërve të Ritës e Duas, të cilëve iu ishin mbyllur dyert për jetë normale në Kosovë. Po të mos ishte mërgimi, Rita e Dua, s’do ishin ato që janë. Ç’fat në fatkeqësi!

Edhe Luan Krasniqi e Haxhi Krasniqi kanë pasaporta gjermane, por sa herë shënonin fitore, që në palestra sportive mund të lexoje historinë e ngarkuar psiqikisht të një populli, së cilës s’i ishte dhënë rasti gati kurrë të tregonte kapacitetet e tij.

Vetë derdhja e tërë djersës së mërgatës sonë për ta bërë më të mirë Kosovën që e lanë nga terrori e mjerimi social, flet për një ngarkesë psiqike që e përcjell mërgatën tonë që nga mëngjesi e deri në mbrëmje dhe kjo kështu përsëritet deri në pambarim.

I quajmë heronj të gjallë sepse të tillë janë. I quajmë shpëtimtarë kombi sepse të tillë janë. I quajmë arsenal i tërë për të mirën e Kosovës sepse të tillë janë. I quajmë investitorët kryesorë zhvillimorë sepse të tillë janë.

Kur ndodh një vdekje e një mërgimtari sado natyrale të ketë qenë ajo, a di sa rëndë përjetohet në mërgim, e lëre më që shumë vdesin nëpër punë të rënda, shumë mbesin të paaftë për shkak të punëve të rënda, e sa e sa vdesin nëpër aksidente të rënda.

Ngarkesën e mërgimtarëve sheh edhe te malli i tyre për të shkolluar fëmijët, një shkollim të cilin pushtuesi serb e pengonte në çdo formë e më së shumti me mjerim social të programuar në Beograd. Arsimimi është pjesa më e ndjeshme e mërgatës tonë. Sa shumë prej tyre kishin pasur dëshirë që atë djersë, profesionalizëm e shkollim të arritur në mërgim ta shkrinin për të mirë të zhvillimit të Kosovës.

Ngarkesën e madhe psiqike të mërgatës tonë e sheh përfundimisht gjatë muajve të verës, kur avionë e autobusa të tërë, vetura pa fund ia mësyjnë vendit të tyre, historinë e të cilit ia kishin ndalur pushtuesit. Janë dy deri në tre muaj pushime, kur mërgata jonë shkarkohet psiqikisht, pushon, kënaqet duke shijuar vendin e braktisuar për shkak të terrorit e mjerimit kronik social.

Prandaj, t’i mirëpresim me çka kemi e me sa mundemi mërgatën tonë të nderuar e çmuar dhe t’i bëjmë që të ndjehen sa më mirë në vendin e tyre.