Retro

Ç’lidhje kanë gomat Michelin me yjet Michelin

Kur restoranti i Gordon Ramsey në Londër humbi dy yjet Micelin, ai qau. Dhe me të drejtë. Nëse një restorant mer një yll Michelin, do të thotë që shefi është ndër më të mirët. Kur merr dy yje, restoranti është i jashtëzakonshëm. Dhe kur merr tre, do të thotë që ia vlen të shkosh dhe ta vizitosh.

Pikërisht për arsyen e tretë, udhëtimin dhe vizitat, dy vëllezërit Michelin Andre dhe Edouard themeluan Michelin Guide në vitin 1900. Sipërmarrësit francezë kishin themeluar një kompani gomash 11 vite para guidës dhe vendosën se një listë me restorantet dhe hotelet më të mira do t’i bënte shoferët të udhëtonin drejt tyre dhe t’i konsumonin më shpejt gomat duke përshpejtuar kështu blerjen e gomave të reja.

Po, Michelin që përcakton restorantet më të mira në botë është i njëjti Michelin që prodhon goma.

“Nga pikëpamja e imazhit, guida e ka ndihmuar shumë kompaninë e gomave. Sepse sigurisht, gomat nuk janë një produkt interesant,” thotë Tony Fouladpour, drejtor i marrëdhënieve me publikun të Michelin për Amerikën e Veriut. “Michelin ka imazhin e një marke premium, të cilësisë së lartë. Dhe disa e quajnë Michelin Guide si Biblën e restoranteve.”

Kur vëllezërit Michelin vendosën të botonin një guidë, në fillim të shekullit të njëzetë, në Francë qarkullonin rreth 2200 makina. Asokohe, qeveria s’kishte ndërtuar endë një sistem rrugësh dhe karburanti mund të blihej vetëm në disa farmaci.

Vëllezërit donin me çdo kusht t’i kthenin makinat nga një luks që përdoreshin vetëm të dielave nga elita në një mënyrë të përditshme transporti për të përshkuar distanca të largëta.

Ata filluan të shpërndanin guida që shërbenin si katalogë hotelesh, mekanikësh dhe shitësish karburanti në gjithë Francën. Madje, vendosën edhe tabela në rrugë për të ndihmuar udhëtarët.

Teksa kompania zgjerohej, zgjerohej edhe guida e tyre. Ata hodhën në treg guida specifike për çdo shtet europian dhe librat u bënë aq popullorë sa vëllezërit filluan të kërkonin komision për të përfshirë një restorant a hotel specifik në to.

Në vitin 1926, guida filloi të përfshinte restorantet e luksit. Pesë vite më vonë u përpilua sistemi me tre yje.

Guida Michelin që tani aplikohet në 24 shtete në katër kontinente është e njohur për kritikët e ushqimit që Michelin i quan inspektorë.

Inspektorët janë anonimë dhe s’u lejohet të flasin me gazetarët. Të gjithë janë të përvojë në artet kulinare dhe shumë prej tyre kanë punuar më parë si shefa kuzhine. Secili prej tyre është trajnuar nga Michelin në Francë.

Në dallim nga kritikë të tjerë, ata nuk mbajnë shënime teksa hanë dhe e vizitojnë disa herë një restorant para se të marrin një vendim./anabel/