Ballina

Çitaku, Kurtit: Mos u fsheh, pak transparencë për marrëveshjen dhe draftin e Asociacionit

By GAZETA SCANNER 1

October 28, 2023

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar pas takimeve që kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka pasur me liderët evropianë dhe gatishmërisë për pranimin e planit të pesëshes për Asociacionin.

Çitaku tha se shpreson që me këtë javë merr fund vallja e rrezikshme e popullizmit, të cilës sipas saj, paturpësisht i ka prirë Kurti, duke përbaltur e lënduar secilin që ka menduar ndryshe “nga Albini opozitar”.

“Për vitet e humbura dhe mundësitë e pashfrytëzuara nga helmi i vjellur nga populizmi dhe oportunizmi i Kurtit do flasim prapë”.

“Tani Albin, pak transparencë për marrëveshjen dhe draftin e Asociacionit. Mos u fsheh”, shkroi Çitaku.

Kujtojmë se në takimin në Bruksel, Kurti ka thënë se ishte gati që ta nënshkruante Marrëveshjen Bazike, Aneksin e Ohrit dhe propozimin e pesëshes e cila përfshinte Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Por, sipas Kurtit, nënshkrimi nuk ndodhi pasi për këtë refuzoi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.