Lajme

Çitaku: Gënjeshtrat e Borrellit e vërtetojnë politizimin e procesit gjyqësor kundër ish-krerëve të UÇK-së

By GAZETA SCANNER 1

December 14, 2022

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, i ka reaguar përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, i cili në fjalimin e tij në Forumin për të Drejtat e Njeriut që po mbahet në Bruksel. tha se ish-presidenti Thaçi është arrestuar nga policia e EULEX dhe është dërguar në Hagë, shkruan Scanner.

Çitaku ka thënë se gënjeshtrat e Borrellit e vërtetojnë politizimin e procesit gjyqësor kundër ish-krerëve të UÇK-së.

“Deklaratat e Borrellit e dëshmojnë dhe një herë politizimin e skajshëm të procesit gjyqësor, me të cilin po mundohen të krijojnë një balancë artificiale ndërmjet viktimave dhe agresorit”, ka shkruar Çitaku, transmeton Scanner.

Postimi i plotë:

Gënjeshtrat e Borrellit e vërtetojnë politizimin e procesit gjyqësor kundër ish-krerëve të UÇK-së.

Fillimisht, presidenti Thaçi ka dhënë dorëheqje si President i Republikës së Kosovës për t’u përballur me akuzat kundër tij. Ai asnjëherë nuk është arrestuar, por është vetëdorëzuar!

Për më tepër, Dhomat e Specializuara nuk janë mekanizëm i BE-së, por i Kosovës.

Deklaratat e Borrellit e dëshmojnë dhe një herë politizimin e skajshëm të procesit gjyqësor, me të cilin po mundohen të krijojnë një balancë artificiale ndërmjet viktimave dhe agresorit.