Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet ka njoftuar vonë për takimet që pati gjatë ditës me liderët institucionalë dhe të partive politike opozitare në Kosovë. Chollet, në takimin me Osmanin dhe Kurtin, ishte i shoqëruar edhe nga i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Chollet u takua me presidenten Vjosa Osmani, ku përmes një cicërime në Twitter tha se partneriteti mes Kosovës dhe ShBA’së është i palëkundur.
“Mirë për t’u takuar@VjosaOsmaniPRKS. Partneriteti ynë është palëkundur. Ne e lavdërojmë Kosovën për solidaritetin me Ukrainën në miratimin e sanksioneve, mbështetjen e refugjatëve dhe gazetarëve dhe dënimin e luftës së Putinit. Mirënjohës për bujarinë e Kosovës në pritjen e të evakuuarve dhe refugjatëve afganë”, shkroi Chollet.
Po ashtu, ai njoftoi edhe për bisedën që pati me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, me të cilin tha se diskutuan për dialogun me Serbinë.
Ai tha se Kosova po angazhohet në mënyrë konstruktive dhe fleksibile në dialog.
“Bisedë e rëndësishme me @albinkurti mbi Dialogun. Vlerësojmë angazhimin e Kosovës në mënyrë konstruktive dhe fleksibël. Mezi presim partneritetin e vazhdueshëm për avancimin e përpjekjeve të vazhdueshme drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, shkroi Chollet.
Tutje, Chollet pati takim edhe me anëtarët e Listës Serbe, për të cilët foli edhe për nevojën e serbëve të Kosovës nëpër institucionet kosovare.
“Takimi informues me anëtarët e Listës Srpska. E vlefshme për të dëgjuar shqetësimet e të gjitha komuniteteve në Kosovë. Duhen serbët e Kosovës në institucionet e Kosovës. Ne vazhdojmë të theksojmë rëndësinë e një ASM në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”.
Ndërsa, sa i përket takimit me opozitën, këshilltari i lartë amerikan tha se ishte mirënjohës për mundësinë për t’u angazhuar dhe për t’i dëgjuar pikëpamjet e tyre.
“Mospajtimi konstruktiv është thelbësor për një demokraci të fortë. Mirënjohës për mundësinë për t’u angazhuar dhe dëgjuar pikëpamjet e tyre”.
Chollet nuk la pa takuar edhe përfaqësuesit e shoqërisë civile, për të cilët tha se e vlerëson rolin e tyre dhe se përpjekjet e tyre e avancojnë dialogun e udhëhequr nga BE’ja.
“U pëlqeu shumë diskutimi me përfaqësuesit e shoqërisë civile kosovare. Vlerësoni rolin e rëndësishëm që luani në avokimin e të gjithë qytetarëve dhe mbajtjen e institucioneve përgjegjëse. Përpjekjet tuaja avancojnë Dialogun e udhëhequr nga BE dhe mbështesin përfshirjen e të gjitha komuniteteve në Kosovë”.
Ndërsa në fund, Chollet foli edhe për takimin që pati edhe gazetarët kosovarë.
“Sot ka pasur një bisedë të gjerë me gazetarët kosovarë. Përgëzuam edhe një herë Kosovën për solidaritetin e menjëhershëm dhe të fortë me Ukrainën dhe diskutuam perspektivën tonë për ASM-në dhe hapat e ardhshëm për Dialogun e lehtësuar nga BE-ja, të mbështetur nga SHBA-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, shkroi Chollet.
Vizita e Chollet në Kosovë vjen disa javë pas tensionimit të situatës në veri të Kosovës, që kulmoi me vendosjen e barrikadave nga grupe të serbëve lokalë në veri të shtetit, për shkak të arrestimit të një ish-polici serb.
Pas Kosovës, zyrtari i lartë amerikan më 12 janar do të qëndrojë në Serbi.