Sport

Chelsea triumfon ndaj Newcastle, pësojnë humbje Tottenham e Man Unitedi

By GAZETA SCANNER 1

October 27, 2024

Chelsea ka marrë pikët e plota në derbin ndaj Newcastle Unitedit, derisa humbje pësuan Tottenhami e Manchester Unitedi.

“Blutë” vazhduan me formën fantastike, këtë herë duke mposhtur me rezultat të ngushtë 2:1 Newcastle Unitedin.

Cole Palmer pas vetëm katër minutave lojë i shënoi Newcastles, por që goli u anulua për pozitë jashtë loje.

Ishte Nicolas Jackson që kaloi vendasit përpara falë një goli të bukur pas asistimit të Pedro Netos (18’).

Newcastle u këndell duke e barazuar me kapitenin Alexander Isak, i cili u asistua nga Hall (32’).

Sidoqoftë, Chelsea e shënoi fitoren përmes Palmer, që realizoi pas asistimit të Lavias (47’).

Newcastle kishte një rast të artë për ta barazuar rezultatin, sidoqoftë Isak u tregua egoist duke mos pasuar, por vendosi të bënte disa driblime jo të suksesshme brenda zonës.

Chelsea tani ngjitët në pozitën e katërt me 17 pikë derisa Newcastle zë pozitën e 12-të me 12 sosh.

Në anën tjetër, Tottenham ka bërë një hap fals duke pësuar humbje në udhëtim te Crystal Palace (1:0).

Edhe pse dominuan në posedim dhe krijuan më shumë raste, assesi s’arritën t’i finalizonin aksionet e shumta.

Mateta ishte heroi i Palace, ku realizoi një gol të bukur pas asistimit të Ezes (31’).

Tottenham tani zë pozitën e tetë me 13 pikë kurse Palace i ikë zonës së rrezikshme, duke u renditur në vendin e 17-të me gjashtë sosh.

Përpos Spurs, edhe Manchester Unitedi bëri gabimin e radhës – duke u mposhtur në udhëtim te West Ham Unitedi.

“Djajtë e Kuq” kishin raste të njëpasnjëshme, sidomos një me Diogo Dalot, i cili dështoi të shënojë në portën e zbrazur.

Sidoqoftë, kur s’shënon e pëson. Summerville u përkujdes për t’i kaluar “Çekanët” në epërsi pas asistimit të Ings (74’).

Unitedi tentoi të këndellet, ku barazuan në fakt përmes Casemiros që u asistua nga Zirkzee (81’).

Megjithatë, West Hami në fund ia doli ta fitonte përballjen përmes Bowen, i cili nuk dështoi nga pika e bardhë (90+2’).

West Ham tani ngjitët në pozitën e 13-të me 11 pikë ndërsa Unitedi bie në pozitën e 14-të me pikë të njëjta.