Këshilla mjekësore

Çfarë thonë ekspertët për pirjen e kafesë?

By GAZETA SCANNER 1

May 14, 2024

Inflamacioni është një reagim i imunitetit ndaj një lëndimi fizik, infeksioni ose pranisë së një toksine dhe lënde të huaj në organizëm.

Qëllimi i tij është që të ndihmojë trupin të eliminojë këto substanca të huaja dhe të riparojë dëmin e kryer.

Nëse keni pësuar një lëndim fizik, atëherë inflamacioni është diçka e mirë.

Enjtja dhe skuqja e zonës së lënduar tregon se rruazat e bardha po luftojnë për të përshpejtuar shërimin.

E njëjta gjë ndodh edhe kur në trup ka ndonjë infeksion, toksinë apo lëndë të huaj. Inflamacioni ndahet në dy kategori: kronik dhe akut.

Inflamacioni akut është përgjigja fillestare e trupit ndaj një lënde të dëmshme ose lëndimi.

Ky reagim dërgon plazmën dhe leukocitet në gjak në zonën ku ka më shumë nevojë.

Inflamacioni kronik ose sistemik është i dëmshëm sepse trupi sulmon veten. Inflamacioni mund të prekë enët e gjakut dhe më pas trurin. Inflamacioni kronik, shkaktari i saktë i të cilit nuk dihet akoma, besohet të jetë një nga shkaktarët e shumë sëmundjeve.

Bëhet fjalë për sëmundjet e zemrës, sindroma metabolike, Alzheimeri, depresioni e të tjerë.

Çfarë roli luan kafeja kundër inflamacionit?

Kafeja është një nga pijet më të konsumuara në të gjithë botën.

Ajo përmban shumë ushqyes të rëndësishëm për shëndetin të cilët janë të nevojshëm për mbrojtjen kundër sëmundjeve kronike.

Kafeja gjithashtu mendohet se ndihmon në uljen e inflamacionit, të paktën në disa njerëz.

Kjo i atribuohet pranisë së antioksidantëve të cilët jo vetëm e luftojnë inflamacionin por edhe na mbrojnë nga disa sëmundje.

Kërkimet shkencore sugjerojnë që pirja e kafesë – edhe në sasi të vogla – mund të ndihmojë në pakësimin e inflamacionit.

Për më tepër,, në kushte të caktuara, kafeja mund t’ju mbrojë më tej kundër diabetitit të tipit 2, sëmundjeve e zemrës dhe ndoshta edhe disa llojeve të kancerit.

Nga ana tjetër, studimet paralajmërojnë se tek disa njerëz, kafeja ka efekt të kundërt, pra e nxit inflamacionin.

Nëse dyshoni se ky rast vlen për ju, këshillohet të zvogëloni ose kufizoni marrjen e kafesë për të vlerësuar nëse një veprim i tillë ndikon në pakësimin apo shtimin e  simptomave të inflamacionit.

Hapat e duhur për luftimin e inflamacionit

Mënyra të tjera për të shmangur inflamacionin janë: kufizimi i sheqerit, lënia e duhanit, mbajtja e peshës së duhur apo gjumi i rregullt gjatë natës.

Ekspertët këshillojnë që të bëni kujdes me stilin e përditshëm të jetesës dhe të konsumoni sa më shumë produkte dhe ushqime të freskëta.

Këtu futen frutat, perimet dhe sa më shumë vitamina e minerale në mënyrë që të siguroni  një organizëm të hekurt./AgroWeb.org/