Lajme

Çështja Meta shkon në Komisionin e Venecias

Komisioni Hetimor Parlamentar për shkarkimin e presidentit Ilir Meta nuk do të dalë me një propozim përfundimtar edhe për një kohë të konsiderueshme.

Shumica socialiste votoi sot për zgjerimin e hetimit të këtij Komisioni duke përfshirë edhe ngërçin e krijuar me Gjykatën Kushtetuese, përveç hetimeve ndaj Presidentit për anulimin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit.

Socialistët pretendojnë se Presidenti është sërish në shkelje të Kushtetutës me mosdekretimin e Arta Vorpsit si anëtare të Gjykatës.

Procedura do të zgjasë edhe për faktin se mazhoranca do t’i drejtohet sërish Komisionit të Venecias për të marrë një mendim mbi vendimet e presidentit Meta me dekretet për Gjykatën Kushtetuese.

Në Komisionin Hetimor do të merret në pyetje edhe Ardian Dvorani, kreu i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, i kallëzuar penalisht nga Meta për ngërçin e krijuar me “Kushtetuesen”, shkruan Top Channel.

Zgjerimi i bazës së hetimit u kundërshtua nga deputetët e opozitës parlamentare, të cilët theksuan se komisioni është ngritur vetëm për çështjen e 30 qershorit.