Lajme

Çështja e Dinarit: Nis takimi i Lajçakut me delegacionin serb

By GAZETA SCANNER 1

February 27, 2024

Në Bruksel ka filluar takimi në mes të Emisarit Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, dhe delegacionit serb, i cili kryesohet nga drejtori i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, ku do të diskutohet për vendimin  e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), për ndalimin e dinarit serb për pagesa në territorin e Kosovës.

Pas takimit me palën serbe, diplomati sllovak do të takohet me delegacionin e Kosovës. Nga pala shqiptare e Kosovës kanë refuzuar që përfaqësimi në këtë takim të jetë në nivel politik, duke dërguar kështu në kryeqendrën evropiane përfaqësues të BQK-së.

Nuk dihet nëse të martën në Bruksel, me ndërmjetësimin e Lajçak-ut, do të ketë edhe një takim trepalësh.

Një rregullore e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), që ka hyrë në fuqi më 1 shkurt, parasheh euron si valutën e vetme për kryerjen e pagesave me para të gatshme në Kosovë, duke ndaluar përdorimin e dinarit serb.

Ky vendim, sipas BE-së, ka shkaktuar probleme praktike për komunitetin serb në Kosovë, të cilët kanë përdorur dinarin serb dhe me këtë valutë kanë marrë ndihmë nga Serbia. Prandaj, BE-ja ka thirrur takimin e 27 shkurtit për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje.