24 vjet pas luftës së fundit në Kosovë, dhimbjet e familjarëve për të afërmit e tyre janë të freskëta. Janë mbi 1600 persona, fati i të cilëve nuk dihet si pasojë e luftës. Sa më shumë që kalon koha, dhimbja e familjarëve të cilët kërkojnë “pak dritë” për të dashurit e tyre shtohet.
“Është zotimi ynë si qeveri e Republikës së Kosovës që nëse ka një gjë që nuk pret, ajo është çështja e të pagjeturve, të atyre që u zhdukën me dhunë”, ishte një nga premtimet e kryeministrit Albin Kurti, në vitin 2021.
I dëshpëruar me partinë në pushtet, sikurse me të gjitha partitë që qeverisën Kosovën pas lufte, është shprehur kryetari i Shoqatës “Zëri i Prindërve”, Bajram Çerkini.
Si cdo Qeveri tjetër, Çerkini nuk e ka kursyer as aktualen, duke e kritikuar ashpër e duke dërguar mesazh të qartë te ta. I dëshpëruar edhe nga kjo qeverisje sa i përket personave të pagjetur, ai thotë se besimin e kanë të humbur te ta.
“E di kur është fjala për persona të pagjetur nuk janë serioz, nuk iu dhimbset as shpirti jonë që 24 vjet që po hjekum, nuk janë aspak duke na besu çfarë dhimbje kemi që 24 vjet, nuk i besojnë as të gjallëve, i mbajnë peng edhe të gjallët, edhe ata që na kanë shku, edhe ata që kanë dhënë jetën për liri, çfarë të them unë çfarë vendimi kanë marrë, nuk besojmë shumë”, ka thënë ai për Dukagjini.
Po ashtu, ai e ka kritikuar Qeverinë e Kosovës, për mosinformim të duhur sa i përket diskutimeve që janë bërë me 18 mars në Ohër, për çështjen e të pagjeturve.
“Kemi pritë që do të takohemi dhe të na tregojnë, se çfarë ka ndodhë, ose çfarë e kanë njet të bëjnë, ose çka është vendos për varrezat masive të cilat dihen. As përpara takimi në Ohër, as pas, nuk na kanë tregu asgjë, jemi informuat vetëm prej mediave”, ka thënë ai.
I dëshpëruar, por pa u dorëzuar asnjëherë, Çerkini shprehet se “po bëhet lojë me personat e pagjetur”, teksa përfundon duke thënë “më thirrni kur të doni për të pagjeturit, në këtë çështje jemi bashkë”.