Sport

Capello: Real Madridi më tha të heq dorë nga Beckhami, siç po bën PSG-ja me Mbappen

By GAZETA SCANNER 1

March 06, 2024

Fabio Capello nuk pajtohet me Luis Enriquen për të lënë në stol Kylian Mbappen, teksa ka zbuluar se ai injoroi urdhrat e Real Madridit për të vepruar njësoj me David Beckhamin.

Tashmë dihet se Mbappe do të largohet nga Paris Saint-Germaini si lojtar i lirë në verë, teksa besohet se do t’i bashkohet Real Madridit.

Me këtë në mendje, Luis Enrique ka filluar të heqë dorë nga ylli francez në ndeshjet e Ligue 1, duke paralajmëruar se ata duhet të “mësohen” pa 24-vjeçarin.

Duke folur në rolin e tij si ekspert në “Sky Sport Italia” këtë mbrëmje, Capello zbuloi se ai ishte përballur me një situatë të ngjashme sa ishte trajner te Real Madridi, kur Beckham refuzoi të nënshkruante një kontratë të re.

“Unë nuk jam dakord me Luis Enrique. Unë gjithmonë do ta përdorja Mbappen, sepse edhe në minutën e 95-të ai mund të shpikë diçka dhe unë i dua gjithmonë ata lojtarë në ekipin tim”, tha fillimisht trajneri italian.

“E bëra me Beckhamin, klubi më tha të mos luaj me të, por pas 10 ditësh stërvitje thashë ‘jo, do të luajë’. Nëse fitoj, mund të qëndroj, nëse jo, atëherë ju mund të më hiqni qafe. Unë fitova dhe ata gjithsesi më hoqën qafe”, shtoi ai.

Kjo ishte në sezonin 2006/07 kur Beckham po e linte kontratën e tij me “Los Blancos” të mbaronte, për të kaluar në LA Galaxy si lojtar i lirë.

Ishte gjithashtu periudha e dytë e Capellos në krye të Real Madridit dhe ai fitoi La Ligan atë sezon, por prapë u la i lirë.