Lajme

Çanak rrëfehet në gazetën beogradase për informacionin që ia solli Kurtit rreth “zhvendosjes së serbëve të Veriut në Sanxhak”

By GAZETA SCANNER

September 04, 2024

Nenad Çanak, politikan serb, është rrëfyer për gazetën serbe “Danas” për detajet e takimit me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ku ndër të tjera solli informacionin se “Beogradi zyrtar po planifikon zhvendosjen e serbëve të Kosovës, sidomos atyre nga veriu, për në Sanxhak, ku siç po thuhet po ndërtohen shtëpi dhe banesa për ta”.

Lajmi u bë publik nga Zyra e Kurtit, ndëra mysafirët nga Serbia apeluan që  Kryeministri Kurti të përpiqet të parandalojë një skenar të tillë.

Në një intervistë për “Danas”, Çanak deklaron se e ka ndjerë se duhet ndarë ky informacion me kryeministrin Kurti.

“Unë dhe Sonja Biserko morëm informacione për zhvendosjen e mundshme të serbëve nga veriu i Kosovës në Sanxhak nga disa burime. Ndjemë se nuk duhet ta lëmë të kalojë pa u vënë re dhe të fillojmë ta zhvendosim fajin nga njëra anë në tjetrën, siç ka ndodhur më parë në histori. Ne ndjemë se duhet ta ndajmë këtë informacion me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, sepse ai e ka obligim të kujdeset për sigurinë e serbëve në Kosovë”, thotë Nenad Çanak, ish-kryetar i Lidhjes Sociale, për gazetën “Danas”.

“Nëse keni elemente që përputhen, përkatësisht se ka ndërtime të objekteve të caktuara në Sanxhak, nëse keni përgatitje me intensitet të lartë, heqje të universitetit në veri të Kosovës dhe zhvendosje, atëherë është e qartë se ku të çon. Që më pas të mos ketë surpriza, ne e kemi ndjerë se Kurti duhet të informohet me kohë. Aq më tepër që ka aksione të Qeverisë së Kosovës në veri dhe rrumbullakosje të pavarësisë, e cila po bëhet pa asnjë koordinim me bashkësinë ndërkombëtare dhe autoritetet në Serbi. Ne besuam se veprime të tilla mund të shkaktonin një përshkallëzim të ri”, tha ai.

“Siç e dini nga historia, kur kishte granatime të tregut Markale në Sarajevë, ishte një situatë ku faji kalohej nga njëra anë në tjetrën dhe e vetmja gjë që ishte e sigurt ishin viktimat…Autoritetet në Serbi nuk duan të diskutojnë gjetjet tona”, thekson politikani serb.

I pyetur nëse ka diskutuar informacionet që kanë me zyrtarë nga Serbia, Çanak tha:

“Puna është se askush nga Serbia nuk do të flasë me ne për këtë. Nëse i keni vënë re njoftimet e partive opozitare, pak a shumë janë anashkaluar. Unë personalisht kam paralajmëruar mijëra herë për shkatërrimin e paligjshëm të parkut të Frushka Gorës dhe askush nuk ka reaguar. Çfarë duhet të ndodhë që dikush nga autoritetet të reagojë. Kështu ia dolëm të nxjerrim në dritë një gjë të rëndësishme dhe shpresoj se do të ketë efektin e dëshiruar dhe efekti i dëshiruar është parandalimi”.

Ai tregon se Kurti i ka informuar në bazë të statistikave të policisë se ka shumë më pak dhunë ndaj serbëve në baza etnike.

“Kryeministri Kurti na ka dhënë të dhëna policore ku ka shumë më pak dhunë ndaj serbëve në baza etnike sesa dhunë ndaj banorëve të tjerë të Kosovës. Pra, do të ishte shumë e rëndësishme kur flitet për terror ndaj serbëve në Kosovë, të flitet për informacione të verifikuara me emër dhe mbiemër, të dihet saktësisht se për çfarë bëhet fjalë. Unë do t’i jap mediave informacione për krimet e gjakut, kush janë autorët dhe kush janë viktimat në Kosovë, në mënyrë që ta dinë saktësisht se çfarë ka ndodhur në vitet e fundit. Armiku më i madh i paqes në këto zona janë gjysmë të vërtetat që ndërthuren për të krijuar panik”, thekson politikani serb, transmeton Express.

“Ai tani nuk mund të thotë se nuk e ka ditur dhe se nuk është në dijeni se çfarë po ndodh në pjesën e territorit për të cilin ka marrë përgjegjësinë, pasi ka marrë më shumë se 50 për qind të mbështetjes. Është 100% përgjegjësi e tij. Kurti tani është në një pozitë ku duhet të veprojë me përgjegjësi të plotë sipas këtyre informacioneve që ia kemi paraqitur, sepse edhe ata janë shtetas të nacionalitetit serb, qytetarë të Kosovës, si gjithë të tjerët. Dhe ai ka detyrimin të kujdeset për sigurinë e tyre dhe funksionimin normal të jetës së tyre. Tani vetëm i shton detyrime të reja”, shton Çanak.