Lajme

Canaj: Nëse sot ka më shumë sovranitet në veri, pse ka tre herë më shumë ushtarë?

By GAZETA SCANNER

September 19, 2024

Opinionisti Blerim Canaj deklaroi se Qeveria Kurti është më e dështuara prej të gjitha qeverive që kanë qenë deri më tani për shkak se siç tha, gjithçka që kemi ne sot si Kosovë është ndërtuar nga qeveritë e kaluara.

“Albin Kurti është kryeministër i një shteti të cilin e kanë krijuar ata, e të cilin e ka kundërshtuar Albin Kurti, nëse ju kujtohet në fillim. Dhe krejt çka më kujtohet mua, në qoftë se flasim për infrastrukturën, prej Albin Kurtit është ajo ura 30 metra e Staradranit, diçka tjetër s’më kujtohet”, deklaroi Canaj në Rubikon të Klan Kosovës.

Tutje ai pyeti se në qoftë se ka sovranitet në veri të vendit, më shumë se më parë, atëherë pse tash i ka ushtarët KFOR-it tri herë më shumë se atëherë?

“Pse ka dhe policë me armë të gjata më shumë se atëherë? Po i bie që atje paska sovranitet, por ne s’kemi sovranitet, apo si? Sipas nocionit sovranitet që e ka krijuar Vetëvendosje, atëherë i bie që ne s’kemi sovranitet, e atje ku janë katërfishi i KFOR-it paska shkuar sovraniteti”, përfundoi Canaj.