Lajme

Bytyqi: Kurti ndoshta do çmendej nga gëzimi sikur ta shtronte ndonjë autostradë

By GAZETA SCANNER 1

November 01, 2024

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së, Albana Bytyqi, deklaroi se kryeministri Albin Kurti ndoshta do të çmendej nga gëzimi nëse do ta kishte shtruar ndonjë autostradë.

Në emisionin “Edicioni Special” në Klan Kosova, ajo kritikoi qeverisjen e Kurtit dhe tha se i njëjti “kap valle për 5-6 kilometra rrugë të shtuar me atë ironinë që ‘unë po bëj diçka në investime kapitale’”.

“Nuk e kemi asnjë autostradë të shtuar, ku është autostrada Prishtinë-Gjilan? Nuk është përfunduar! Ne kemi nevoje për të shtruar autostrada, për investime kapitale, infrastrukturë, shëndetësi e arsim. Ku janë?”, pyeti ajo.

Duke folur për rrugën që lidh disa fshatra të Shqipërisë me të Kosovës në Komunën e Dragashit e cila u përurua këtë javë, Bytyqi tha se Kurti po i promovon këto rrugë sepse s’ka ndonjë investim tjetër kapital që mund ta promovojë.

“Me një rrugë 6-kilometërshe e patë se çka bëri, po sikur ta kishte shtruar ndonjë autostradë? Ndoshta do të ishte çmendur prej gëzimit sepse po e përfundon një autostradë, sepse në jetën e tij nuk e di që ka bërë ndonjë të mirë për vendin tonë”, u shpreh deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi.