Lajme

Byroja për Konfiskim të Pasurisë së Pajustifikueshme ende pezull në Kushtetuese

By GAZETA SCANNER 1

May 01, 2024

Brenda Gjykatës Kushtetuese, ka pesëmbëdhjetë muaj që qëndron dosja për Byronë për Konfiskim të Pasurisë së Pajustifikueshme.

Gjykata Kushtetuese nuk ka nxjerrë ende vendim për këtë projektligj, i cili vlerësohet me rëndësi të lartë në reformën e synuar në drejtësi.

“Një stafetë e rëndësishme në punën e Ministrisë së Drejtësisë sa i takon reformës, është edhe Byroja për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, që në mënyrë të pashpjegueshme vazhdon të mbetet në sirtarët e Gjykatës Kushtetuese për pesëmbëdhjetë muaj”, ka thënë zëvendësminitri i Drejtësisë Vigan Qorrolli.

E pajustifikueshme, kalimi i këtyre muajve pa vendim gjyqësor, vlerësohet edhe nga njohës të drejtësisë.

“Normalisht që është kohë e gjatë, për shkak se në kushte normale duke u bazuar në praktikën e Gjykatës Kushtetuese, zakonisht interpretimet mbi kushtetueshmërinë e ligjeve, nëse marrim parasysh edhe ligjin për Gjykatën dhe afatet që përcaktohen brenda këtij ligji, është një mesatare të afatit prej tre muaj që mund Gjykata ta lëshojë një interpretim apo vendim gjyqësor”, vlerëson Vullnet Bugaqku nga KDI.

Madje, hidhen dyshime se kjo çështje është politizuar.

“Kanë kaluar të gjitha normat apo parametrat kohore të trajtimit normal të një çështje, dhe kjo tregon se kjo çështje ka marrë një politizim. Pra, Gjykata Kushtetuese po tenton që ta instrumentalizojë këtë çështje duke e përdorur për interesa më të mëdha, përpos asaj të interpretimit të ligjshmërisë dhe kushtetueshmërisë së atij ligji. Dhe kjo shkon në dëm të reformës në drejtësi”, thotë avokati, Asdren Bytyqi.

Mangësi në projektligj për Byronë, kishte evidentuar Komisioni i Venecias. /Tëvë1/