Me përmbylljen e procesit të primareve brenda Partisë Demokratike, forca e djathtë politike ka deklaruar tashmë edhe shumicën e kandidatëve garues, të cilët do të përfaqësojnë koalicionin opozitar në zgjedhjet në Shqipëri të vitit 2023, të cilat me dekret të presidentit Bajram Begaj, do të zhvillohen më 14 maj.
Në një pjesë të mirë të 61 bashkive të vendit, të djathtët e kanë vulosur tashmë fatin e kandidaturave, duke bërë publikë emrat fitues në primare.
Teksa, ende nuk ka rezultat për Tiranën dhe Durrësin, dy qytetet më të mëdha të vendit, për të tjerë, gjithçka është e caktuar.
Emri i fituesit të parë, është ai i Albert Malajt, për Bashkinë Memaliaj, i cili ka marrë 300 vota, karshi 20 të kundërshtarit të tij, Bukurosh Ajdini.
Malaj vjen nga radhët e Partisë së Lirisë dhe mori pjesë në primare, si pjesë e koalicionit të shpallur mes PD-së dhe PL-së, i firmosur nga kryetarët respektivë të partive, Sali Berisha dhe Ilir Meta.
Kështu, Malaj do të jetë kandidat zyrtar për zgjedhjet e 14 majit 2023, në Memaliaj.
Bardh Spahia, është konfirmuar si kandidat për Bashkinë Shkodër.
Teksa, në Vaun e Dejës, deputeti Zef Hila, ka arritur të marrë numrin më të lartë të votave, duke bërë kështu që ai të lërë mandatin e deputetit dhe të hyjë në garë për zgjedhjet vendore.
Për bashkinë e Selenicës nga ana tjetër, fitues është shpallur Leonard Rakipaj.
Kukësi do të ketë për kandidat një mjek, Admir Sinamati, i cili ka marrë 989 vota dhe është shpallur fitues.
Dëfrim Fiku, është shpallur fitues në Bulqizë, me 453 vota.
Zija Ismaili, është kandidati fitues në Berat, duke lënë pas rivalin Sazan Guri. Në Shijak, procesi ka përfunduar, ku fitues është shpallur Rezart Tusha. Ndërsa Libohovën, e ka fituar Adil Xhelili.
Ndriçim Babasi, është fituesi për Bashkinë e Krujës, me 168 vota.
Gjirokastra do të shohë të garojë kandidatin Dorian Lani, Përmeti Edmond Kominon, Tepelena Baftjar Imerin, si edhe Këlcyra, Arjan Kasajn.
Kështu është bërë me dije nga drejtuesi demokrat i qarkut Gjirokastër, Tritan Shehu, i cili ka publikuar listën e plotë të fituesve në bashkitë e qarkut që drejton.
Për Bashkinë Vorë, fitues i garës është shpallur Indrit Hoxha, me 82% të votave.
Kuçova do të shohë për kandidat një emër të njohur, si ai i Lefter Maliqit, nga radhët e Partisë së Lirisë.
Në Konispo, do të garojë më 14 maj Fatmir Shero, i cili ka marrë 137 vota përballë rivalit, Aleksandër Lokoshi.
PD-në në Elbasan, do ta përfaqësojë deputeti Luçiano Boçi, i cili do të lërë kështu mandatin për të garuar në zgjedhjet vendore 2023.
Në primaret e Kurbinit ndërkohë, fitues është shpallur Behar Haxhiu. Teksa në Mirditë, do të ketë balotazh mes Albert Mylyshit dhe Aleksandër Lalës.
Qyteti jugor i Vlorës, në garë nga radhët e demokratëve më 14 maj, do të shohë Hysni Sharrën, i cili në përfundim të procesit, ka thënë se kërkon t’i rikthejë qytetarëve vlonjatë bashkinë e munguar prej vitesh.
Në bazë të raportimeve nga selia blu, deri në orën 17:00, pra një orë përpara mbylljes së qendrave, ka pasur në tërësi 51 mijë e 797 votues.
Numri më i madh i tyre i takon Tiranës, me 14 mijë e 263.
Pas ndjekin Lezha, Korça dhe Kukësi.
Teksa, numër i ulët votuesish është paraqitur në Berat apo Gjirokastër.
Nga ana tjetër, ashtu si është deklaruar nga vetë Berisha, në katër bashki, ku përfshihen minoritete etnike, kandidaturat do t’u lihen aleatëve.
Bëhet fjalë për Himarën, Finiqin dhe Dropullin, të cilat do të shohin në garë kandidatë nga partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, e Vangjel Dules, si edhe Pusteci, i cili do të shkojë për minoritetin etnik maqedonas.
Në Tiranë, gara është e fortë me shtatë kandidatë në lojë, ku favorit është deputeti demokrat, Belind Këlliçi, përballë rivalit kryesor, mjekut Ilir Alimehmeti.
Pavarësisht kësaj, kandidatët duhet të marrin mbi 50% të totalit të votave, ose në të kundërt, do të shkohet në balotazh mes dy më të votuarve.
Në shtatë bashki të tjera, nuk ka pasur garë, pasi vetëm një kandidaturë është paraqitur si e vlefshme për primaret.