Lajme

Bunjaku-Rexhepi: Kurti i dashuruar në vetvete, mendon se është i gjithëdijshëm

By GAZETA SCANNER 1

November 23, 2023

Deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku-Rexhepi thotë se Qeveria Kurti është më jotransparentja sa i përket dialogut Kosovë – Serbi.

Duke komentuar draft statutin e Asociacionit, Bunjaku-Rexhepi thekson se kryeministri Albin Kurti nuk ka bashkëpunuar me opozitën dhe si rrjedhojë këta të fundit nuk po e dijnë “as çka po don me nënshkru”.

Sipas saj, kryeministri Kurti është i dashuruar në vetvete dhe mendon se i di të gjitha.

“Po mendon që ai është hero që s’po e nënshkrun Serbia me to. Thjesht është vetë i dashuruar në vetën e vet. Mendon që është i gjithëdijshëm. Krahasuar me kryeministrat tjerë, është më i padijshmi, sepse di më shumë me fol, por më së paku me punu”, deklaroi ajo në “Ditari” në Tëvë 1.

Deputetja Bunjaku-Rexhepi shtoi se Kurti duhet patjetër të bashkëpunojë me opozitën sa i përket bisedimeve me Serbinë dhe “pasi ta kryejë marrëveshjen me Serbinë, t’i shpallë zgjedhjet dhe t’u kërkojë falje qytetarëve për kauzat e rrejshme, për premtimet e rrejshme dhe për keqpërdorimet që i ka bërë sa ka qenë kryeministër”.