“Nuk është meritë e Kurtit që ndërkombëtarët kanë dënuar sulmin terrorist në Banjskë”, vlerësoi kështu, deputetja nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Valentina Bunjaku.
Në kuadër të diskutimit për zhvillimet e fundit në veri, Bunjaku tha se kjo çështje mund të zgjidhet vetëm në koordinim me ndërkombëtarët, gjë që sipas saj, kryeministri, Albin Kurti, nuk po e bën.
“Të gjithë aleatët ndërkombëtar në këtë rast kanë qenë me Kosovën dhe kanë dënuar sulmin terrorist. Por, kjo nuk është meritë e Kurtit që ShBA-të e dënuan Serbinë e jo Kosovën. Kjo nuk është meritë e Kurtit, por është meritë e presidentit Rugova dhe e njerëzve që kanë lobuar e kanë krijuar miqësi me shtetet mike. Nuk po shoh bashkëpunim të Kurtit me ndërkombëtarët, sepse qysh në fillim ka hyrë në rrugë të gabuar dhe pa kthim. Çështja e veriut duhet të zgjidhet në bashkëpunim dhe në koordinim me ndërkombëtarët”, deklaroi Bunjaku në emisionin “Ditari”.
Madje sipas saj, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, do duhej të reagonte para aktit terrorist.
“Presidentja duhet të reagojë me kohë dhe jo pas kohës. Qasja e Qeverisë tonë është dashur të bëhet ne koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo mazhorancë dhe ky kryeministër, absolutisht nuk kanë bashkëpunim me opozitën”, u shpreh tutje Bunjaku në Tëvë1.
Ndërkaq, e pyetur se a do e zgjedhë Qeveria Kurti çështjen e themelimit të Asociacionit, Bunjaku tha se Kurti nuk është i interesuar ta zgjidhë këtë problem.
“Do duhej ta zgjidhte. Mirëpo, Kurti nuk është i interesuar të zgjidhë problem, por është i interesuar për filma e drama”, tha tutje ajo.
Kujtojmë se në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës më 24 shtator, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.
Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues.