Kryesuesi i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Bujar Osmani, tha sot se propozimi i tij për qetësim dhe normalizim të situatës në veri të Kosovës u është dorëzuar misioneve në Prishtinë e Beograd, “të cilat duhet të komunikojnë dhe ta funksionalizojnë atë”.
Ai tha se “Plani me nëntë hapa”, të cilin e publikoi gjatë fundjavës, “nuk është plan i OSBE-së, sepse ajo organizatë ndërkombëtare i merr vendimet me konsensus, por nga Republika e Maqedonisë së Veriut dhe ai si kryesues i OSBE-së”, transmeton Beta.
“Roli im si kryesues i OSBE-së është të ofroj një zgjidhje për de-përshkallëzimin. OSBE-ja është në thelb një platformë për dialog, komunikim dhe menaxhim të konfliktit. Ne kemi dy operacione të mëdha, një në Prishtinë dhe tjetrin në Beograd”, tha Osmani në një intervistë për televizionin maqedonas “Telma”.
Ai shtoi se propozimi i tij është një nga përpjekjet plotësuese me organizatat dhe organet e tjera ndërkombëtare për të de-përshkallëzuar dhe normalizuar situatën (në veri të Kosovës) dhe që palët (Beogradi dhe Prishtina) t’i “rikthehen dialogut të arritur në Ohër”.
“Pra, ne kemi një detyrim shtesë jo vetëm si kryesues i OSBE-së, por edhe si shtet ku është arritur ajo marrëveshje. Ju mund të shihni që masat e propozuara janë të ngjashme me masat e ofruara nga organizatat e tjera ndërkombëtare. Kjo do të thotë se komuniteti ndërkombëtar është në unison në kërkesën që palët t’i kthehen dialogut dhe në zbatimin e obligimeve nga marrëveshja themelore dhe aneksi, përkatësisht marrëveshja e Ohrit”, tha Osmani.
Kryesuesi i OSBE-së, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, dy ditë më parë publikoi “Planin me nëntë hapa për de-përshkallëzimin dhe normalizimin e situatës në veri të Kosovës”.
Ai plan, siç njoftoi Osmani në Twitter, “ka për qëllim arritjen e paqes dhe stabilitetit të përhershëm në veri të Kosovës dhe kthimin e serbëve të Kosovës në institucione dhe procese demokratike”.