Ukraina është gati të marrë një lloj të ri bombe me laser që mund të shkatërrojë objektivat “e buta” ruse, ka njoftuar një analist ushtarak.
Bëhet e ditur se Britania e Madhe po i jep Ukrainës një sasi të vogël bombash Paveway IV si pjesë e shpërndarjes së saj të ndihmës.
Bombat Paveway IV hidhen nga aeroplanët dhe peshojnë rreth 226 kilogram. Ato përmbajnë një laser që do të thotë se mund të operojnë edhe në mot të keq, sipas Forcave Ajrore të Mbretërisë së Bashkuar, shkruan yahoonews.
“Kjo është një armë e mirë kundër objektivave të buta, që do të thotë se mbrojtja ajrore, radarët, depot dhe qendrat e komunikimit do të jenë objektivat kryesore”, tha Sergej Sumlenny, themelues i qendrës gjermane të mendimit.
Pajisje të tilla thuhet se mund të konkurrojnë kundër bombave ruse rrëshqitëse.
Megjithatë, qëndrim tjetër ka James Black, ndihmësdrejtor në institutin RAND Europe, sipas të cilit bombat mund të jenë problem pasi forcat ukrainase janë më pak të avancuara se ato ruse.
Gjithashtu, Black tha se raketat amerikane me rreze të gjatë do të kenë vlerë më të madhe në ushtrinë e Ukrainës pasi synojnë një gamë më të gjerë objektivash ruse.
Ndryshe, përveç bombave Paveway IV, ndihma britanike për Ukrainën e cila arrin në rreth 625 milionë dollarë, përfshin rreth 400 automjete, 1,600 raketa dhe katër milionë fishekë.