Lajme

“Botaserbe” mundësi për krijimin e krizave në Kosovë

By GAZETA SCANNER 1

July 03, 2024

Pas votimit në parlamentin e Serbisë, një gjë të tillë e bënë edhe në Asamblenë Kombëtare të etnitetit serb në Bosnje e Hercegovinë.

Kështu Serbia dhe Republika Srspka, tashmë kanë miratuar deklaratën e përbashkët të së ashtuquajturës “BotaSerbe” në të cilën përmendet edhe Kosova.

Në të thuhet se përveç pjesës për emrin, në Deklaratë përmendet edhe që Kosova “është pjesë e patjetërsueshme e Serbisë”, dhe që Kuvendi gjithëserb mbështet përpjekjet e Republikës së Serbisë për ruajtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit, të garantuar me ligjin ndërkombëtar, Rezolutën 1244 dhe rezolutat tjera të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Njohësi i sigurisë, Burim Ramadani tha për televizionin Tëvë1 se këto plane datojnë që nga koha e kasapit të Ballkanit, Millosheviq, ndërsa këtë po shfrytëzon tash Serbia për të krijuar destabilitet në

Ballkan, e për ndalimin e kësaj nisme po kërkohet që Kosova të anëtarësohet në NATO.

“Si pasojë e këtyre planeve hegjemonike me qindra mijëra njerëz në Ballkan kanë shkaktuar gjenocide në Kosovë, Bosnjë dhe Kroaci. Pra po flasim për një rrethanë në të cilën Serbia absolutisht nuk është duke hequr dorë nga politika hegjemoniale ndaj popujve të tjerë në Ballkan, normalisht tashmë me kapacitetet më të vogla, për arsyeje të shtrirjes së NATO-s në Ballkan, e vetmja politikë për të ndaluar “Botën Serbe” është zgjerimi në Ballkan, anëtarësimi i Kosovës në NATO, dhe përfundimi i mundësisë së Serbisë për të përhapur luftëra të reja”, ka thënë Ramadani.

Përveç kësaj, sipas Ramadanit, janë dy pika në të cilat duhet të punohet për parandalimin e kësaj nisme.

“ Shtresa e parë duhet të jetë shtetet Ballkanike dhe në veçanti Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Kroacia edhe Shqipëria, dhe poashtu reagimi ndërkombëtar duke përfshirë Bashkimin Evropian, NATO-në, dhe, Kombet e Bashkuara nëse është e mundshme”, shprehet ai.

Lajm të keq dhe sinjale për mundësinë e ngritjes së tensioneve edhe në Kosovë, e ka quajtur Selam Shkodra.

“Një lajm i keq, për arsyeje se është një sinjal që rajoni po shkon drejtë një tensioni, dhe, mund të shkon drejtë një destabilizimi. Patjetër se ka drejtpërdrejtë efekt edhe në Kosovë, për arsyeje se qytetarët e nacionalitetit serb besojnë në atë projekt, dhe ju e dini se në fundvitet e 80-ta, ka qenë diçka e ngjashme ku ish kasapi i Ballkanit, Millosheviq, e ka pas të njëjtin projekt, e që ka tentuar ta realizoi përmes luftërave”, ka thënë Shkodra.

Në anën tjetër Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, kanë dalë me një qëndrim të përbashkët ndaj Serbisë, duke i kërkuar distancim nga Kremlini, që të ketë integrim në strukturat evropiane.