Botë

Borrell: BE-ja duhet të bëjë më shumë për të mbështetur Ukrainën

By GAZETA SCANNER 1

January 23, 2024

Shefi i politikës së jashtme Josep Borrell, tha se ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian, gjatë takimit në Bruksel më 22 janar, u pajtuan se tani nuk është koha për të reduktuar ndihmën për Ukrainën.

“Përkundrazi, ne duhet të bëjmë më shumë dhe më shpejt sa i përket burimeve financiare, pajisjeve ushtarake, trajnimeve ushtarake dhe gjithë mbrojtjen që i duhet Ukrainës. Ne do të vazhdojmë të punojmë që të projektojmë këtë ndihmë”, tha Borrell gjatë konferencës për media pas takimit, shkruan REL.

Ai po ashtu njoftoi se planifikon të vizitojë Ukrainën në javën e dytë të shkurtit, por nuk dha një datë specifike për vizitën e tij, apo se me kë planifikon të takohet.

Në agjendën e takimit të parë të këtij vitit të ministrave të Jashtëm të BE-së u përfshin luftërat në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme.

Mbrojtja e Ukrainës kundër pushtimit të nisur nga Rusia vazhdon të jetë prioritet për BE-në, tha Borrell para takimit në Bruksel, duke shtuar se konfliktet në Lindjen e Mesme nuk do të shpërqendrojnë bllokun.

Ukraina “është pika e parë në agjendë”, tha Borrell para takimit.