Lajme

Bogujevci: Jam në një lidhje, pohimet e mia lidhen me diskutimet për vendimmarrjen e grave

By GAZETA SCANNER 1

March 10, 2023

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci ka thënë sot se deklarata e saj rreth preferencës për t’u bërë nënë “pa pasur nevojë për burrë”, ndërlidhet me qëndrimin e saj mbi të drejtën e grave për fertilizim të asistuar.

Ajo, në një deklarim për T7 të premten, tha se ajo është në një lidhje dashurie dhe se deklarata e djeshme në Kuvendin e Kosovës nuk paraqet pikëpamje personale.

“Unë e kam partnerin, nuk jemi të martuar, por kjo deklaratë e djeshme e imja ndërlidhet me disa diskutime me rëndësi në vendimmarrjen që e kemi të krijojmë mundësi të barabarta për shoqërinë tonë”, është shprehur Bogujevci.

“Një shqetësim tjetër që e kam është se kur vijmë te pika e vendimmarrjes shpesh merren vendime që në njëfarë forme krijohet një kontroll ndaj gruas. Unë besoj që një grua do të bëhet nënë, pa marrë parasysh a është e martuar apo jo, nuk duhet t’i cenohet ajo e drejtë për t’u bërë nënë”, ka thënë Bogujevci.

Bogujevci, gjatë seancës së Kuvendit, deklaroi se preferon të bëhet nënë pa pasur nevojë për burrë, sepse këtë ia mundëson shkenca.