Ekonomi

Boeing pezullon prodhimin e 737 Max

Kompania e prodhimit të avionëve Boeing ka njoftuar se do të pezullojë prodhimin e modelit 737 Max në janar.

Fluturimet e avionëve të këtij tipi janë ndaluar në tërë botën qysh nga marsi i këtij viti, pas rrëzimeve vdekjeprurëse në Indonezi dhe Etiopi.

Kjo është hera e parë në 20 vjet që ndalon prodhimi i modelit 737 Max.

Boeing ka synuar ricertifikimin e 737 Max në dhjetor dhe ka kalkuluar ta rikthejë këtë model në shërbim deri në fund të janarit.

Pavarësisht nga kjo pikëpamje optimiste, ekspertë në industrinë e aeroplanëve komercialë shprehën dyshimet se aeroplani do të zhbllokohet deri në fund të janarit, ndërsa fluturimet komerciale nuk pritet të realizohen para marsit. Southwest Airlines, American Airlines dhe United Airlines nuk planifikojnë të rifillojnë fluturimet komerciale me 737 Max deri në fillim të marsit.

Përndryshe, në mars të vitit 2019, autoritetet e aviacionit në të gjithë botën ndaluan fluturimin e 737 MAX pasi dy aeroplanë të rinj u rrëzuan brenda pesë muajve, duke vrarë gjithsej 346 persona.

Pas aksidentit të parë të Lion Air më 29 tetor 2018, pilotët kritikuan ashpër Boeing për mos informimin e tyre për një karakteristikë të kontrollit të fluturimit të zbatuar rishtazi nga Boeing, i cili në mënyrë të përsëritur e detyronte aeroplanin të fluturonte me hundë poshtë, një manovër e rrezikshme për aeroplanë komercialë në fluturime normale. Pilotët po ashtu kritikuan edhe aviokompanitë për faktin se shpenzojnë shumë pak para në trajnimin e pilotëve pas futjes në përdorim të modeleve të rinj të aeroplanëve.