Botë

Blinken, bisedime me ministrin e jashtëm pakistanez mbi qasjen ndaj talebanëve

Pakistani thotë se u ka përcjellë Shteteve të Bashkuara mesazhin se ndërsa drejtuesit e talebanëve në Afganistan duhet të respektojnë angazhimet e tyre, bota ka “një detyrim moral” që të punojë kolektivisht për të ndihmuar popullin afgan të përballet me një krizë të rëndë humanitare dhe ekonomike në vendin e shkatërruar nga lufta.

Ministri i Jashtëm pakistanez Shah Mehmood Qureshi ia dha këtë mesazh Sekretarit të Shtetit Antony Blinken gjatë një takimi mes tyre mbi hapat e ardhshëm në Afganistan, thuhet në një deklaratë zyrtare të lëshuar nga Islamabadi. Diskutimet për këtë çështje u zhvilluan në Nju Jork, ku po mbahet takimi i përvitshëm i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Qureshi “shpreson që bota nuk do ta përsërisë gabimin e mosangazhimit me Afganistanin”, thuhet në deklaratë.

Departamenti Amerikan i Shtetit tha se Sekretari Blinken ka theksuar “rëndësinë e koordinimit të angazhimit tonë diplomatik dhe lehtësimin e evakuimit të atyre individëve që duan të largohen nga Afganistani” në bisedimet e tij me zotin Qureshi.

Talebanët morën nën kontroll Afganistanin në gusht, pasi Uashingtoni dhe aleatët perëndimorë tërhoqën trupat e tyre në përputhje me urdhërin e Presidentit amerikan Joe Biden për t’i dhënë fund luftës më të gjatë të Amerikës, e cila zgjati 20 vjet.

Rikthimi në pushtet i lëvizjes islamike nxiti administratën e Presidentit Biden të bllokonte me shpejtësi miliarda dollarë të rezervuara nga Shtetet e Bashkuara për Kabulin, ndërsa Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar ndaluan qasjen e Afganistanit në fonde të rëndësishme, për shkak të shqetësimeve për çështjen e të drejtave themelore të afganëve nën sundimin e talebanëve.

Sekretari Blinken u tha gazetarëve të enjten se çështja afgane ishte fokusi i takimeve të tij shumëpalëshe dhe dypalëshe, përfshirë me homologët e tij nga Rusia dhe Kina. Ai tha se talebanët vazhdojnë të kërkojnë legjitimitet dhe mbështetje ndërkombëtare për qeverinë e tyre në Kabul, duke thënë se bota është e bashkuar mbi mënyrën se si duhet vepruar me Afganistanin e kontrolluar nga talebanët.

“Unë mendoj se ka një unitet shumë të fortë rreth qasjes dhe qëllimit për këtë çështje. Talebanët thonë se duan legjitimitet, mbështetje nga bashkësia ndërkombëtare, por marrëdhëniet e tyre me bashkësinë ndërkombëtare do të përcaktohen nga veprimet e tyre. Kjo është ajo që ne po kërkojmë”, tha Sekretari Blinken.

Ai përsëriti përparësitë e Shteteve të Bashkuara për grupin islamik, duke përfshirë lejimin e afganëve dhe shtetasve të huaj që të largohen nga vendi, respektimin e të drejtave të njeriut, veçanërisht ato të grave, vajzave dhe pakicave, marrjen e veprimeve për të parandaluar përdorimin e territorit të Afganistanit nga grupet terroriste për të kërcënuar vendet e tjera dhe formimin e një “qeverie vërtet gjithëpërfshirëse” që reflekton aspiratat e popullit afgan.

Talebanët kanë hedhur poshtë kritikat ndaj kabinetit të tyre të përkohshëm qeveritar që përbëhet vetëm nga meshkuj, duke thënë se ai përfaqëson të gjitha komunitetet afgane dhe premtuan se “shumë shpejt” do të sjellin gra në poste qeveritare.

“Emirati Islamik i Afganistanit (talebanët) ka shtrirje në të gjithë vendin dhe gëzon mbështetjen e popullit. Ne vërtetë përfaqësojmë aspiratat e njerëzve të Afganistanit dhe jemi të gatshëm të angazhohemi me botën”, tha të premten Suhail Shaheen, të cilin talebanët e kanë emëruar në postin e përfaqësuesit të tyre të përhershëm në OKB.

“OKB -ja duhet t’i kushtojë vëmendje versionit tonë të historisë. Është vërtetuar tashmë se politika e izolimit nuk është në interesin e askujt”, këmbënguli Shaheen, i cili tani drejton zyrën politike të talebanëve në Doha të Katarit.

Pakistani, Kina dhe Rusia të gjithë kanë marrë veprime për t’u angazhuar me talebanët dhe i kanë kërkuar komunitetit global të angazhohet dhe të ndihmojë sundimtarët e rinj në Kabul për të përmbushur nevojat urgjente humanitare të afganëve.

Ata kanë kërkuar zhbllokimin e fondeve afgane dhe heqjen e sanksioneve të tjera ekonomike ndaj Kabulit, por ata gjithashtu e kanë lidhur njohjen e qeverisë së re talebane me respektimin e angazhimeve që talebanët kanë bërë.

“Ashtu si shumica dërrmuese e vendeve në të gjithë botën, ne preferojmë të shikojmë nga afër se çfarë kanë bërë talebanët në Afganistan, çfarë forme përfundimtare do të marrë struktura e pushtetit në atë vend dhe si do të përmbushen premtimet e dhëna. Ne po e monitorojmë këtë nga afër”, citoi media ruse të premten zëdhënësin presidencial Dmitry Peskov.

Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi, duke folur në një konferencë virtuale të ministrave të jashtëm të G-20ës të enjten, nënvizoi gjithashtu rëndësinë e krjimit të një qeverie të gjerë nga talebanët në Kabul, por kritikoi bllokimin e pasurive afgane nga SHBA dhe institucionet ndërkombëtare të huadhënies.

Të hënën, Sekretari i përgjithshëm i OKB-së mori një letër nga talebanët që e njoftonte atë se ata duan të zëvendësojnë ambasadorin e Afganistanit Ghulam Isaczai, i cili u emërua në korrik nga qeveria e përmbysur e Kabulit, me një të dërguar të tyre. Ministri i jashtëm në detyrë i talebanëve, Amir Khan Muttaqi, në letrën e tij dërguar zotit Guterres, tha se ata duan të marrin pjesë në takimin aktual të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Afganistani është caktuar të flasë i fundit, më 27 shtator. Mendohet se fjalimi do të mbahet nga Isaczai, i cili është ende përfaqësuesi i akredituar i Afganistanit në OKB.

Një zëdhënës i OKB-së tha se një komision nëntë anëtarësh i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së do të vendosë se kush do të përfaqësojë Afganistanin në Kombet e Bashkuara. Megjithatë, nuk ka gjasa që komisioni në fjalë të mblidhet para tetorit, duke e vënë në dyshim mundësinë e talebanëve për të mbajtur fjalim në takimin e këtij viti të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. /VOA/