Botë

Bjellorusia kërkon garanci sigurie nga Rusia

By GAZETA SCANNER 1

April 10, 2023

Udhëheqësi autoritar i Bjellorusisë, Alexander Lukashenka, më 10 prill ka biseduar me ministrin rus të Mbrojtjes, Sergei Shoigu, në kryeqytetin e Bjellorusisë, Minsk, njoftoi agjencia shtetërore bjelloruse e lajmeve BelTA.

Siç raportohet, Lukashenka ka thënë se Bjellorusisë i nevojiten garanci se Rusia do ta mbrojë këtë vend “si territorin e saj” në rast të një sulmi.

Ai tha se ka biseduar me presidentin rus Vladimir Putin, lidhur me garancitë për siguri.

Në fjalimin e tij vjetor drejtuar kombit, më 31 mars, Lukashenka mbrojti planin e Rusisë për të vendosur armë taktike bërthamore – duke përfshirë raketa balistike ndërkontinentale, nëse është e nevojshme – në territorin e Bjellorusisë, duke theksuar se vendi ishte i ekspozuar ndaj kërcënimeve në rritje nga Perëndimi. Megjithatë, ai nuk ofroi asnjë provë për ndonjë kërcënim konkret nga Perëndimi.

Minsku nuk ka dërguar trupa për të luftuar së bashku me forcat e Moskës në Ukrainë, por Lukashenka e ka lejuar Rusinë të përdorë Bjellorusinë – e cila ne veri kufizohet me Ukrainën – si pikë nisjeje për pushtim. Ai gjithashtu i dha Rusisë qasje të plotë në bazat e saj ajrore, mundësoi stërvitjet e përbashkëta dhe trajtimin e ushtarëve të plagosur rusë në territorin e tij.

Duke folur për pushtimin në vazhdim e sipër të Rusisë në Ukrainë, Lukashenka bëri thirrje për bisedime urgjente për një armëpushim “pa parakushte”.

“Është me rëndësi thelbësore të ndalet (lufta) tani, përpara se situata të përshkallëzohet. Të shpallet armëpushimi, bashkë me ndalimin e furnizimit të forcave ushtarake me armë dhe pajisje”, tha Lukashenka, duke theksuar se armëpushimi nuk mund të shfrytëzohet për të sjellë më shumë armë në konflikt, pasi Rusia mund të detyrohet të përdorë “armën më të frikshme” nëse ndihet e kërcënuar.

Duke pasur parasysh rolin e Bjellorusisë në konflikt dhe lidhjet e saj të ngushta me Rusinë, Ukraina ka refuzuar më parë ofertat nga Minsku për të ndërmjetësuar paqen. Bjellorusia ka thënë se nuk planifikon të hyjë në luftë. /REL/