Lajme

Biznesmeni shqiptar në Amerikë Mhill Gjuraj: “Shqiptarët në Amerikë kanë zemër të madhe-gjithmonë janë pranë atdheut”

By GAZETA SCANNER 1

August 19, 2024

Një nga arsyet më të rëndësishme që duhet gjithmonë të përmendim është se bashkatdhetarët tanë nga diaspora në mbarë botën, sidomos në Amerikë, kanë qenë dhe janë promotor i rëndësishëm i të gjitha lëvizjeve kulturore e politike të kohës në shërbim të kombit në përgjithësi, e posaçërisht në shërbim të pakursyeshëm, të lirisë, demokracisë dhe pavarësisë së vendit. Shqiptarët që jetojnë dhe veprojnë në këtë vend të largët, na bëjnë krenar me punën, angazhimin dhe të arriturave të suksesshme të tyre. I tillë është edhe biznesmeni shqiptar Mhill Gjuraj.

Për tokën e premtuar dhe të bekuar, përtej Oqeanit Atlantik, e që shqiptarët e quajnë, “Amerika për shumë këndë është vend i mundësive të njerëzve punëtorë dhe që dëshirojnë të arrijnë suksese”. Mhill Gjuraj është një nga shembujt më të mirë të përkushtimit atdhetar, të veprimtarisë së sinqertë dhe të një njeriu të mirë, i cili në mundësit e tij ka luajtur rolin e duhur të një afaristi, humanitari dhe veprimtari, me ç’rast roli i  tij është i padiskutueshëm.

Angazhimi i tij në fushën e çështjes humaniste dhe atdhetare nuk ka munguar asnjëherë dhe nuk do t’i mungojë as në të ardhmen, sepse, është i vetëdijshëm se ai që ndihmon popullin e tij, vendlindjen e tij, atdheun e tij, nderon veten e tij dhe familjen e tij.

Kush është Mhill Gjuraj?

Me origjinë nga Iballja e Pukës, që nga viti 1887 i përndjekur nga turqit, u shpërngul në Kosovë për t’i humbur gjurmët e përndjekjes. Për këtë shkak ndërroi mbiemrin nga “Noka” në “Gjuraj” dhe qysh atëherë mban këtë mbiemër. Megjithatë, nuk është mbiemri vetëm ai që të cilëson patriot, por veprimtaria e tij atdhetare ndaj Kosovës.

Humanizmi dhe atdhedashuria kanë bërë që familja Gjuraj të jetë e përndjekur vazhdimisht nga pushtimi serb, ku edhe jeta e tyre u bë e vështirë, andaj kjo familje vendosi ta marrë rrugën e migrimit.

Në vitin 1972 Mhill Gjuraj bashkë me familje u largua nga Kosova drejt Italisë, fillimisht bashkë me babanë, nënën dhe shtatë fëmijët e tyre dhe qëndruan për rreth 16 muaj. Pasi u pajisën me dokumente italiane, në nëntor të vitit 1973 emigruan drejt Amerikës dhe në fillim u vendosën në Bronx të Nju Jorkut, ku qëndruan një kohë dhe më pas u vendosën në Stamford Connecticut, ku aty filloi punën në një restorant italian.

“Unë falënderoj prindërit e mi, se mos na kishin mbajt ata ashtu shtrënguar, nuk do ishim në këtë gjendje. Më thoshte nëna mua dhe motrave të mia, se ishin më të reja se unë, shikoni mbylle shkollën me qenë kaq ora këtu, mbylle punën në 6 ora me qenë këtu, të hamë darkën të tërë së bashku. Nuk na linin andej me shëtit poshtë e përjetë kot. Ditën e diel ishim të tërë së bashku e hanin bukën e mirë, darkën e mirë”, ka thënë ai për gazetascanner. Pavarësisht viteve larg, në mërgim e në dhe të huaj, biznesmeni Gjuraj, me shpirt e zemër ka qenë gjithmonë në Kosovë.

“Amerika është larg, por ai person që ka qejf, dhe e dinë prej nga ka ardhur, unë për vete kënaqem kur vij këtu, sepse kam lind këtu dhe kënaqem kur vij. Unë këtu kam shpirtin, kam zemrën, më para flejë në thera ku kam jetuar atje, sesa në një hotel të mirë. Jam i përmalluar për këtë vend. Kanë vuajtur prindërit e mi, sepse nuk kanë ditur nga të shkojnë. Është mirë me dit vuajtjet e dikujt, sepse ai person që nuk i dinë çfarë kemi vuajt ne, ai i duket kollaj, hyp këtu, zbret atje, e jo sikur ne ne që kemi bërë 2-3 ditë për të shkuar prej Kosove e deri në Romë”, thotë në intervistë, biznesmeni nga Kosova me banim ne Amerikë, Mhill Gjuraj.

Ai ka treguar se fillimisht me të shkruar në Amerikë ka filluar të lajë pjata, duke punuar nga 15 orë në ditë, 6-7 ditë të javës, dhe pas kësaj pune për një vit, pas disa kohësh ka ikur nga aty, dhe më pastaj ka filluar punën në një fabrikë të madhe, ku kishte 2 deri 3 mijë veta punëtorë, dhe kishte sigurimin. Aty ai thotë se ka punuar për 19 vite aty. Më pastaj ai ka blerë një shtëpi krejt me borxh. “Qëndrova aty për 2 vjet dhe e shita atë shtëpi më shumë se dyfish nga sa e bleva. Grumbullova ato para dhe ika në Bronx në New York. Nga ky moment fillova të merrem me këtë biznes, me patundshmëri të emëruar Gjuraj Realty Management. Tani kam shumë ndërtesa banimi në pronësi për familje, dhe prej asaj kohe merrem me veprimtarinë e patundshmërisë”, thotë mes tjerash Mhill Gjuraj.

Kontributi i Mhill Gjurajt në aktivitetet e shumta kombëtare, humanitare dhe fetare Gjuraj njihet si njëri ndër kontribuuesit e dalluar të komunitetit shqiptaro-amerikan për çështje të ndryshme kombëtare, humanitare dhe fetare. Për këtë çështje ai thotë se kur kontribuoi për aktivitetet kombëtare, humanitare apo fetare, e ka ndier obligim që të kontribuojë në shërbim të shoqërisë.

“Populli ynë e ka pasur traditë ndihmën ndaj njëri-tjetrit. Nëse të gjithë do të japim nga pak nga trasta jonë e bukës, siç bënin të parët tanë, sigurisht tani janë mundësitë më të mëdha këtu në Amerikë. Dhënia e këtyre kontributeve është thjesht dëshirë dhe kënaqësi për të ndihmuar kombin”, ka thënë ai. Në mënyrë modeste Gjuraj ka përmendur vetëm një pjesë të kontributit të tij për çështjet fetare, duke përmendur kështu një sponsorizim prej 8 000 dollarësh në fillimin e punimeve, kurse shumën prej 20 000 dollarësh në vazhdim të këtyre punimeve, pikërisht për një dritare në emrin Mhill Gjuraj për Katedralen e Prishtinës.

Ai tregon se për shtatoren “Nënë Tereza” në Pejë, të cilën e ka ndërtuar me vetiniciativë, ka investuar mjete të veta vetjake në shumën prej 100 mijë dollarësh, po ashtu ka ndihmuar Katedralen e Tivarit dhe të Malit të Zi, përmbytjet në Shkodër, kishën “Lady of Shkodra” në Nju Jork etj. Krahas këtyre kontributeve ai ka qenë i pandalshëm edhe në kontributet dhe ndihmën që është kërkuar sidomos gjatë dekadës 1990-2000, dhe më tutje për çështjen e Kosovës, njëherësh ka ndihmuar shumë familje në nevojë, shoqata të ndryshme në Amerikë, si dhe ka organizuar aktivitete me përmbajtje kombëtare. “Vërtet këto kontribute janë simbolike, por të dhëna me shumë dëshirë e vullnet, e të cilat më kanë sjellë kënaqësi të madhe. Pse ta fshehu një gjë. Më kanë sjellë mbarësi në biznes”, përfundon bashkatdhetarë nga Amerika Mhill Gjuraj./Scanner/