Ballina

Bislimi tha se BE ka dy vërejtje rreth 6 kushteve për Asociacionin, Kurti: Nuk jam në dijeni

By GAZETA SCANNER 1

February 15, 2023

Numri dy i Qeverisë së Kosovës dhe shefi i ekipit negociator të Kosovës, Besnik Bislimi para një jave ka deklaruar se Bashkimi Evropian kishte mopsjatime për dy nga gjashtë kushtet që kryeministri Albin Kurti kishte vendosur për çështjen e themelimit të Asociacionit.

Megjithatë për diçka të tillë Kurti ka thënë se s’është në dijeni. Ai ka thënë se ndoshta duhet të takohet me Bislimin për ta pyetur  se çfarë komunikimi ka pasur me vendet e BE-së.

“Nuk jam në dijeni për ndonjë vërejtje të tillë për dy nga gjashtë kushtet. Mbase duhet ta takoj dhe shoh se çfarë komunikimi ka pasur me vendet e BE-së. Edhe një herë po e them, ato gjashtë kushte, gjashtë parime, janë të tilla që mundësojnë që Asociacioni të jetë në përputhshmëri me Kushtetutën dhe ligjit, që të mos jetë mono-etnik, që të kemi reciprocitet të të drejtave të komuniteteve joshumicë…” ka thënë kryeministri pas një ceremonie për 53-vjetorin e Universitetit të Prishtinës.

Zv.kryeministri Bislimi për çështjen e kushteve dhe mospajtimin e BE-së me dy prej tyre e kishte thënë para një jave.

“Gjashtë kushtet që ka propozuar Kurti, në fakt janë parakushte që tregojnë se mund të diskutohet për mekanizmin e avancuar të mbrojtjes së të drejtave të minoriteteve. Bashkimi Evropian ka vërejtjet e saj në dy kushte, por se cilat janë ato dhe pse ka vërejtje mund ta pyesni z. Lajçak kur është në Prishtinë”, ka deklaruar Bislimi të mërkurën e kaluar.