Lajme

Bislimi takoi zëvendëskryeministrin për Qeverisje të Mirë dhe Transparencë të Maqedonisë së Veriut, Arben Fetai

By GAZETA SCANNER 1

August 01, 2024

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, mirëpriti në takim Zëvendëskryeministrin për Qeverisje të Mirë dhe Transparencë të Maqedonisë së Veriut, Arben Fetai.

Fillimisht, zëvendëskryeministri Bislimi e uroi z. Fetai për detyrën e re dhe i dëshiroi suksese në angazhimin e tij. Më tej, palët biseduan rreth thellimit të marrëdhënieve mes dy vendeve tona dhe forcimit të urave të bashkëpunimit. U veçua bashkëpunimi në fushën e ekonomisë, infrastrukturës me theks bashkëpunimit në projektet ndërkufitare por edhe turizmit, si dhe u trajtua rëndësia e avancimit të rrugëtimit në procesin e integrimit evropian të dy vendeve.

Duke e falënderuar për bisedën dhe takimin e frytshëm, zëvendëskryeministri Bislimi shprehu gatishmërinë në fuqizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore Kosovë-Maqedoni e Veriut por edhe bashkëpunimit rajonal. Pjesëmarrëse në takim ishte dhe ambasadorja e Maqedonisë së Veriut në Kosovë, Shpresa Jusufi.