EkonomiLajme

Bislimi: Kosova sivjet do të ketë rritjen më të madhe ekonomike në rajon

Qeveria e Kosovës është duke i mbështetur bizneset vendore që gjenerojnë punën e tyre edhe jashtë vendit.

Kështu u tha sot në hapje të panairit dyditor EXPOKOS në Sallën e kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë. Ky është edicioni i 21-të i panairit dhe aty po marrin pjesë 22 kompani vendore, por edhe nga Anglia, Italia Shqipëria dhe vendet e tjera.

Panairi është hapur nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, i cili në fjalën e tij përmendi politikat e Qeverisë për zhvillimin ekonomik, si dhe mbështetjen për bizneset vendore që gjenerojnë punën e tyre edhe jashtë vendit.

“Sektorët si energjia dhe makineria, janë shumë të rëndësishme për t’i shtyrë agjendat tona përpara, qeveria i ka mbështetur 21 kompani. Fokusi është te prodhuesit vendorë për t’iu mundësuar tregjet jashtë vendit. Qeveria jonë po shënon vitin e parë duke realizuar shumë politika sidomos në fushën e ekonomisë. Viti 2022 do të ketë rritje më të madhe ekonomike në rajon” tha Bislimi.

Ndërsa Artane Rizvanolli, ministre e Ekonomisë, ka thënë se strategjia për energjinë e ripërtërirë do të thirret për diskutim publik javën tjetër.

“Vizioni ynë për të ardhmen e energjisë është i qartë me bashkëpunimin e BE-së, dekarbonizimi i energjisë pritet të arrihet deri në 2050, krijimi i mundësive të energjisë së ripërtërirë, energjinë solare dhe energjinë e erës, por edhe nxitjen e investimeve në panelet solare, eficienca e energjisë është e rëndësishme ku ne po përballemi me krizën energjetike gjithandej, dhe pritet të mos përmirësohet për shkak të luftës në Ukrainë”, tha Rizvanolli.

Ministrja e Industrisë Rozeta Hajdari ka theksuar se janë duke punuar të vijnë investues nga jashtë.

“Kosova është një shtet i sigurt. Ajo ka përparësi për investime dhe ofron kosto të favorshme. Si ministri jemi duke punuar në politikën industriale, për të nxjerrë më të mirën, si në resurse natyrore, por edhe me investimet që do të vijnë nga jashtë”, tha Hajdari.

Panairi Ndërkombëtar EXPOKOS, i cili organizohet në Kosovë prej 21 vjetësh, po mbahet në Prishtinë dhe është ngjarja më e rëndësishme në Ballkanin Perëndimor dhe i dedikohet të gjitha bizneseve që i përkasin sektorit të Ndërtimit, Energjisë, Makinerisë dhe Sigurisë.

Me mbi 16.000 pjesëmarrës deri më tani, EXPOKOS konsiderohet një vend takimi i rëndësishëm për Ballkanin, duke krijuar ura midis bizneseve që operojnë në rajonin e Ballkanit dhe bizneseve që synojnë tregtinë ballkanike.

EXPOKOS si një ngjarje e veçantë është pasuruar me aktivitete të shumta, të cilat zhvillohen paralelisht me panairin.