Lajme

Bislimi: Kosova, shtet që synon anëtarësimin në OKB, BE, NATO, KiE e organizata të tjera ndërkombëtare

By GAZETA SCANNER 1

October 03, 2024

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, mori pjesë në pritjen e organizuar nga ambasada e Gjermanisë në Kosovë, me rastin e Ditës së Unitetit të Gjermanisë, e cila u organizua në Klan Arena.

Në fjalën e tij, Bislimi shprehu vlerësimin për përkrahjen e palëkundur të Gjermanisë ndaj Kosovës.

“Mbështetja juaj ka qenë e rëndësishme në forcimin e institucioneve tona, avancimin e ekonomisë dhe nxitjen e zhvillimit shoqëror. Kujtojmë me mirënjohje të thellë rolin vendimtar të Gjermanisë në mbështetjen e aspiratave të Kosovës në arenën ndërkombëtare”.

“E vlerësojmë shumë kontributin e Gjermanisë në fusha të tilla si zhvillimi ekonomik, arsimi, siguria dhe shkëmbimi kulturor, teksa forcojmë edhe bashkëpunimin tonë ekonomik e shoqëror, i cili kontribuon edhe në stabilitetin dhe progresin e të gjithë rajonit”, u shpreh Bislimi.

Bislimi tutje është shprehur se Kosova është tashmë një shtet i cili synon anëtarësimin në OKB, BE, NATO, Këshill të Evropës dhe organizata të tjera ndërkombëtare, ku edhe me mbështetjen e shteteve aleate e partnere si Gjermania, sipas tij, ecim drejt realizimit të këtyre synimeve.