Botë

Biden: Nuk do ketë marrëveshje për tavanin e borxhit

By GAZETA SCANNER 1

May 21, 2023

Presidenti amerikan Joe Biden thotë se republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve duhet të ndryshojnë qëndrimet e tyre ekstreme në bisedimet për rritjen e tavanit të borxhit, të cilat për momentin kanë ngecur.

Duke folur për gazetarët pas takimit të nivelit të lartë në Japoni, përpara se të nisej drejt Shteteve të Bashkuara, zoti Biden tha se nuk do të ketë një marrëveshje për të shmangur dështimin amerikan për të paguar borxhet, bazuar vetëm tek kushtet e republikanëve.

Në përpjekje për të rifilluar negociatat për buxhetin, Presidenti Biden planifikon të zhvillojë një bisedë telefonike me Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, gjatë udhëtimit nga Japonia drejt Uashingtonit.

Udhëheqësit botërorë në takimin e nivelit të lartë të 7 vendeve më të pasura të botës në Hiroshimë, shprehën shqetësim mbi pasojat ekstreme që do të kishte një dështim i Shteteve të Bashkuara për të paguar detyrimet e saj financiare.