Duke folur për medie të dielën në samitin e G7 në Hiroshima, presidenti amerikan, Joe Biden,ka thënë se ka marrë garancion që Ukraina nuk do të përdorë aeroplanët luftarakë F-16 për të sulmuar territorin rus.
Megjithatë, ai ka thënë se F-16 mund të jenë të dobishëm kudo që ushtria ruse është në territorin ukrainas.
Ndërsa presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka falënderuar presidentin amerikan për aeroplanët luftarakë F-16.
“Po, ne kemi punuar politikisht për këtë për një kohë shumë të gjatë me partnerët tanë. Ne i jemi vërtet mirënjohës ShBA-së për këtë ndihmë”, ka thënë ai.
Zelensky ka thënë se është e rëndësishme që pilotët ukrainas t’i nënshtrohen trajnimit sa më shpejt të jetë e mundur, dhe theksoi se ende nuk dihet se sa aeroplanë do të marrin.