Botë

Biden apo Trump? Cilin kandidat do të preferonte Kina?

By GAZETA SCANNER 1

March 17, 2024

Ndërsa fushata zgjedhore në Shtetet e Bashkuara intensifikohet, si presidenti Joe Biden ashtu edhe rivali i tij i mundshëm, Donald Trump, premtojnë se do të mbajnë një qëndrim të ashpër ndaj Kinës. Po çfarë mendojnë në Kinë për zgjedhjet amerikane? Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Bill Gallo pyeti banorët e Pekinit se çfarë përshtypjesh kanë për dy kandidatët.

Marrëdhënia SHBA-Kinë është cilësuar si më e rëndësishmja në botë. Ajo është shpesh e tensionuar.

Me afrimin e zgjedhjeve në SHBA, tensionet mund të rriten. Për të mësuar se si i shohin kinezët këto marrëdhënie, Zëri i Amerikës shkoi në Pekin. Është hera e parë që një gazetar i Zërit të Amerikës lejohet të shkojë në Kinë në katër vitet e fundit, për shkak të pandemisë dhe tensioneve mes dy vendeve. Por çfarë mendojnë banorët e Pekinit për kandidatët Biden dhe Trump?

“Kur mendoj për vendin tim, cilido të zgjidhet, nuk do të jetë i mirë për ne”, thotë Sun, një banore e Pekinit.

“Nga pozita e një studenti të thjeshtë kinez, preferoj Trump-in. Edhe pse ai e ekzagjeron shpesh, të paktën ai po e bën këtë për të mirën e vendit të tij”, thotë Alani.

Politika e zotit Trump për Kinën ishte e paparashikueshme – duke u luhatur mes sulmeve të ashpra dhe diplomacisë së bujshme personale.

“Dikur kishte shumë tension mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës. Tani është një marrëdhënie e ngrohtë”, shprehej zoti Trump në tetor të vitit 2019.

Në Kinë, përshtypja për ish-presidentin Trump është se duke dëmtuar imazhin global të SHBA-së, ai në të vërtetë po ndihmon Kinën.

“Është interesante – shumë nga gjërat që ai bën, në fakt përputhen me interesat e Kinës”, thotë Tao.

“Ai është shumë i drejtpërdrejtë. Dhe ndonjëherë vepron në mënyrë të tillë që duket se e ndihmon Kinën” , thotë Huang.

Zoti Trump vendosi tarifa të larta që goditën ekonominë e Kinës. Por ai gjithashtu tensionoi marrëdhëniet me shumë aleatë të SHBA-së. Ai u tërhoq ose vuri në shënjestër shumë organizata në qendër të rendit global të udhëhequr nga SHBA. Ndërsa zoti Biden ka forcuar aleancat e Shteteve të Bashkuara, veçanërisht në Azi – duke nervozuar Pekinin.

“Ai ka një qasje më tradicionale. E vë theksin tek aleancat dhe nxit vlerat ideologjike. Ai për shembull mbajti një samit për vlerat e demokracisë kundër autokracisë”, thotë për Zërin e Amerikës Wang Huiyao, president i Qendrës për Kinën dhe Globalizimin.

Pavarësisht fërkimeve, lidhjet janë stabilizuar nën presidentin Biden – një zhvillim i mirëpritur nga shumë në Kinë.

 

“Nuk duam të shohim një përkeqësim të lidhjeve siç kemi pasur më parë. Sepse nëse ndodh një gjë e tillë, mund të jetë shumë e rrezikshme jo vetëm për SHBA-në dhe Kinën, por për gjithë botën.”

 

Me afrimin e zgjedhjeve në SHBA, ka shumë pasiguri për këtë marrëdhënie.