Lajmest-slider

Biçikleta dykatëshe të mjeshtrit nga Prishtina (Video)

Që nga mosha 6-vjeçare, Rexhep Baliu nga Prishtina, tash mjeshtër e punues i biçikletave unike, ishte pasionant i këtij mjeti. Dykatëshe e për transportim, janë biçikletat unike krijim i mjeshtrit 64-vjeçar.

Është 64-vjeçar e punimin e biçikletave krejtësisht punëdore e kishte nisur që nga mosha 6-vjeçare. Në punëtorinë e tij, ka shumë biçikleta, por ato që bien në sy janë biçikletat unike të punuara e ideuara nga vet mjeshtri Rexhep Baliu.

“Historia e biçikletës ka filluar që në moshën 6-vjeçare. Kanë qenë dajallarët e mi ata që kanë udhëtuar me biçikleta prej fshatit Makovc. E unë në atë kohë nuk i kisha mundësitë të posedoja një biçikletë për fëmijë, por pata mësuar t’i ngas ato të mëdhatë”, shprehet mjeshtri nga Prishtina.

Mjeshtri Baliu këtë punë e kishte nisur me qëllim që t’i nxisë qytetarët ta përdorin këtë mjet udhëtimi në të mirë të shëndetit e natyrës.

“Të parën e pata ndërtuar një biçikletë dykatëshe dhe që prej fillimit ato i pata menduar që t’i sensibilizojë qytetarët që ta përdorin sa më tepër biçikletën. Madje gjithçka e kam përcjellë edhe me mesazhe senzibilizuese”, thotë Baliu.

Më e veçanta ndër të gjitha për mjeshtrin, mbetet ajo që Baliu e quan dykatëshe.

“Kur kam dal në qytet me biçikletën dykatëshe, ka qenë diçka shumë interesante, sepse kemi pasur opinione të ndryshme. Më janë drejtuar në forma të ndryshme kur më kanë parë me të”, thekson Rexhep Baliu.

Për modelet gjithnjë të veçanta të biçikletave, thotë se inspirohet nga shtetet e jashtme.

botën e civilizuar biçikleta dhe çiklizmi janë duke u përdorur shumë, sepse atje shteti atyre iu rregullon shtigje të veçanta. Në Britani të Madhe biçikleta është shpallur si artikulli me i shitur prej të gjithë artikujve të tjerë”, ka shtuar ai.

Ndryshe nga kohët e mëhershme, në këto kohë janë gratë që dominojnë për kërkesat me biçikleta, teksa shprehet se deri tash nuk ka fituar mjaftueshëm prej kësaj pune, sepse sipas tij, gjithçka e bazonte në pasion.

“Kam dëshirë ta kem edhe një fabrikë të biçikletave, sepse deri tash kam shpenzuar shumë për to, e tani është koha që edhe të marrë diçka prej këtij zanati”, shprehet mjeshtri nga Prishtina.

Edhe pse krejt afër pensionimit, Rexhep Baliu biçikletën thotë se e përdorë çdo ditë.

Madje edhe në këtë moshë, shprehet se nuk e ka të vështirë t’i arrijë 200 kilometra ngasje brenda ditës./Koha/