Lajme

Betim Gjoshi: Albin Kurti shpik përplasje dhe ndan urrejtje ndaj qytetarëve

By GAZETA SCANNER

December 22, 2024

Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Betim Gjoshi, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për qëndrime përçarëse dhe shpifje të vazhdueshme ndaj qytetarëve brenda dhe jashtë vendit.

Gjoshi theksoi se Kurti shpik tema të paqena për të paraqitur të tjerët si të paaftë dhe për të përhapur ofendime, linçime dhe urrejtje.

“Ky njeri nuk kalon asnjë ditë pa përplasje me dikë, sepse nuk ka asgjë konkrete për t’u dhënë qytetarëve”, deklaroi Gjoshi.

Reagimi i plotë:

Pasi që pa pikën e nevojës fyu dhe ofendoi qytetarët që jetojnë në Kosovë si njerëz që e duan më pak vendin e vet se mërgimtarët, kryeministri Kurti paska drejtuar ofendimin tash te bashkëatdhetarët.

Ky njeri, as edhe një informim kaq të thjeshtë nuk mund ta kalojë pa fyer tjetrin.

Këtij i duket vetja se është i aftë, që kupton gjithçka, ndërsa të tjerët jo, të cilët nuk e ka problem t’i paraqesë si të paaftë, që nuk po arrijnë të dallojnë regjistrimin e popullsisë me regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës.

Kush e tha se këto dy procese po ngatërrohen? Askush tjetër përveç Albin Kurtit i cili shpikë temat për të ofenduar të tjerët.

Albin Kurti nuk mund të kalojë as edhe një ditë pa u përplasur me dikënd.

Pa shpërndarjen e fyerjeve, linçimeve, sulmeve, urrejtjes, Albin Kurti nuk mund të ekzistojë, sepse nuk ka çfarë të dhurojë tjetër.