Lajme

“Beteja” mes ministrave dhe Gjykatës Kushtetues, kush ka faj?

By GAZETA SCANNER 1

July 30, 2024

Kanë kaluar rreth një muaj prej kur Gjykata Kushtetuese e shpalli të pavlefshëm Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Në të njëjtën ditë që Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu kritikoi këtë institucion për mos publikimin e aktgjykimit të plotë, i njëjti është publikuar në web faqen e gjykatës.

Kritika në drejtim të Kushtetueses ka dhënë edhe ministri i financave, Hekuran Murati për mospublikimin e aktgjykimit të plotë për Pagën Minimale.

Krejt këto reagime të qeveritarëve në drejtim të gjykatës po shihen si një betejë politike mes dy institucioneve nga njohësi i kushtetutës, Mazllum Baraliu.

“Shihet sheshit që ekziston një betejë politike që nuk po zgjatë pak por që po vazhdon të zgjasë që nga fillimi i mandatit deri në përfundim pothuajse në mes disa institucioneve të pavarura dhe gjyqësisë edhe asaj kushtetuese edhe asaj të rregullt, edhe qeverisë e ministrisë së drejtësisë”, thotë Baraliu.

Megjithatë nuk e ka arsyetuar kohën e gjatë prej mbi 500 ditëve deri në marrjen e këtij vendimi nga Gjykata Kushtetuese.

“Një çështje e cila për një nen apo dispozitë që mund të rrëzohet të zgjasë me vite nuk e arsyeton askush askënd por kemi të bëjmë me agjenda e ndikime politike të cilat fatkeqësisht po vazhdojnë që nga herët”, tha ai.

Derisa Përparim Gruda nga Partia Demokratike e Kosovës, të cilët e kishin dërguar këtë ligj në Kushtetuese, ka thënë se ministrja e drejtësisë ka hartuar ligj që bie ndesh me kushtetutën.

“Arsyeja pse e bën ministrja këtë vërejtje dhe këto kritika e sulme ndaj gjykatës është sepse thjeshtë don me mbulu dështimin e saj ajo ka dështu në këtë ligj, ka hartu një ligj ndesh me kushtetutën dhe këtë nuk e ka thënë vetëm gjykata kushtetuese por edhe komisioni i Venecias”, tha Gruda.

Me Ligjin për Byronë Shtetërore, që tashmë është shpallur i pavlefshëm, parashihej që të gjithë zyrtarët publikë në Kosovë mund të ishin subjekt i verifikimit të pasurisë nëse do të ekzistonin dyshime se ajo ishte fituar në mënyrë të kundërligjshme.