Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi po qëndron në një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Zyra e tij, ka njoftuar se ai është takuar në Shtëpinë e Bardhe me Drejtorin e lartë për Evropë në Këshillin për Siguri Kombëtare të administratës Biden, ambasadori Michael Carpenter. Një takim të tillë, më tetë gusht e kishte pasur edhe Bedri Hamza, kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës.
Nën kritikat se kanë përkeqësuar marrëdhëniet me Shtëpinë e Bardhë, dhe mungesën e vizitave pikërisht atje, zyra e Bislimit ka njoftuar se ai ka pasur taim me Carpenter.
“Në takim u bisedua mbi perspektivën e dialogut dhe rrugën përpara në normalizimin e marrëdhënieve, me theks në zbatimin e Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Implementimit të Ohrit, ku Kosova vazhdon të mbetet konstruktive dhe e angazhuar në proces.” – thuhet në njoftimin rreth takimit.
Po ashtu, është bërë me dije se Bislimi ka folur edhe për sulmin terrorist gjatë javës që lamë pas, në kanalin e Ibër Lepencit.
Ndërkohë, me asistentin special të Biden, Bedri Hamza ishte takuar më tetë gusht.
“Ne u pajtuam që tani është koha për progres në konsolidimin e Kosovës drejt njohjes nga pesë shtetet anëtare të BE-së, të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, drejt sigurimit të udhërrëfyesit për anëtarësim të Kosovës në Partneritet për Paqe dhe përfundimisht në NATO e BE. Këto janë qëllimet strategjike për të cilat folëm gjerësisht. Unë prezantova shkurtimisht vizionin dhe planin tim që Kosova të lëvizë më shpejt përpara drejt zhvillimit ekonomik, rritjes së pagave në sektorin publik, investimeve kapitale dhe rritjes së mirëqenies së qytetarëve.” – kishte thënë Hamza pas takimit.