Ekonomi

BERZh-i jep kredi 58 milionë euro për burime të ripërtritëshme të energjisë

Kosova, e cila mbështetet në masë të madhe në linjit për prodhimin e energjisë elektrike, së shpejti do të fillojë të përfitojë nga një burim më i pastër i energjisë nga ferma më e madhe e erës në vend.

Kredia e BERZH-it prej 58 milionë euro do të ndihmojë në financimin e ndërtimit dhe funksionimit të fermës së erës me kapacitet 105MW në Bajgorë. Kjo kredi është gjysma e totalit të financimit të kërkuar për projektin, me pjesën tjetër të siguruar nga Erste Group Bank dhe Banka NLB, që të dyja përfituese nga një mbulesë e siguruar nga Agjensia Gjermane e kreditit të eksportit ‘Euler Hermes’.

Kur të përfundojë, ferma e erës në Bajgorë do të përfaqësojë rreth 10 për qind të kapacitetit të instaluar në vend dhe do të evitojë shkarkimin e 247,000 tonë karbon dioksidi në vit, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në zbutjen e ndryshimeve klimatike. Ky do të jetë stabilimenti më i madh i ndërtuar në Kosovë që nga vitet ’80 dhe paraqet një hap të madh përpara në tranzicionin e energjisë në Kosovë. Më shumë energji e rinovueshme do të ndihmojë në adresimin e sfidave të zvogëlimit të ndërprerjes së energjisë dhe shmangies së ndotjes të shkaktuar nga dy termocentralet kryesore ekzistuese të Kosovës.

“Ky investim pason tre vjet punë të BERZH-it me qeverinë për të bërë reforma legjislative për të zhbllokuar financimin e projekteve të burimeve të rinovueshme në vend. Pasi të ndërtohet, projekti do ta rris kapacitetin e instaluar të rinovueshëm përtej 200MW dhe të japë një nxitje të konsiderueshme drejt arritjes së objektivit prej 400MW që vendi i ka vendosur vetes për ta arritur deri në vitin 2026”, thuhet në deklaratën e BERZH-it.

Financimi i fermës së erës në Bajgorë do t’u mundësojë pronarëve të saj, Sowi Kosova LLC, të ndërtojnë dhe operojnë një fermë me erë në komunën e Mitrovicës. Sowi Kosova LLC është një pronësi me shumicë dhe e kontrolluar nga Enlight Renewable Energy Ltd, një kompani izraelite e energjisë së rinovueshme dhe një klient ekzistues i BERZh-it, së bashku me partnerët e saj gjermanë dhe kosovarë.

“Ne jemi të kënaqur që jemi partnerë përsëri me Enlight dhe bashkëfinancuesit tanë për të mbështetur këtë project madhor. Është e shkëlqyeshme të shihet një vend, i cili për një kohë të gjatë është mbështetur në linjit, të fillojë ta shfrytëzojë potencialin e tij të rinovueshëm. Suksesi i këtij projekti është mirënjohje për të gjithë të përfshirët, por veçanërisht për autoritetet kosovare, të cilët kanë ndërtuar një kornizë kontraktuale që mund të tërheq investitorë dhe huadhënës ndërkombëtarë me zë,” tha me këtë rast Harry Boyd-Carpenter, Drejtor i Energjisë në BERZh.

BERZH po synon ta arrij cakun e 40 për qind të investimeve të saj vjetore në ekonominë e gjelbër deri në vitin 2020.

Përndryshe, ky paraqet projektin më të madh në sektorin privat që BERZh ka nënshkruar në Kosovë deri më tani. Në tërësi, BERZh ka investuar 413 milion Euro në 67 projekte në Kosovë.