Botë

BERZh-i do të investojë deri në 1.6 miliard dollarë në zonën e goditur nga tërmeti në Turqi

By GAZETA SCANNER 1

March 09, 2023

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) do të investojë deri në 1,6 miliard dollarë në pjesën jugore të Turqisë gjatë dy viteve të ardhshme, pasi rajoni u godit nga tërmetet e fuqishme më 6 shkurt.

Në një deklaratë të kësaj banke, të publikuar të enjten, thuhet se BERZh-i synon që t’i përkrahë rimëkëmbjen, rindërtimin dhe riintegrimin e ekonomisë së rajonit për t’i ruajtur kapitalin njerëzor, jetesën e njerëzve dhe vendet e punës në qytetet e prekura.

Kjo bankë ofron 600 milionë euro në linja krediti për huadhënësit që të përkrahen bizneset dhe individët e prekur drejtpërdrejt nga tërmetet si dhe hua të reja për kompanitë që marrin pjesë në përpjekjet për rimëkëmbje e rindërtim në rajon, raporton agjencia “Anadolu”.

BERZh-i do ta përkrahë edhe rindërtimin e infrastrukturës së qëndrueshme në qytetet e prekura, duke bashkëpunuar me komunat si Hatay e Gaziantep.

Banka do t’i përqendrojë fondet edhe në rindërtimin e rrjetit hekurudhor për rikthimin e lidhjeve mes rajonit juglindor me pjesën tjetër të vendit.

Drejtori menaxhues i BERZh-it për Turqinë, Arvid Tuerkner, tha: “Përgjigjja e BERZh-it prej deri në 1,5 miliard eurosh është thelbësor dhe e pasqyron zotimin e Bankës ndaj Turqisë, sidomos në këtë kohë të dhimbshme e sfiduese.”

“Ne do të punojmë me autoritetet dhe me partnerët tanë në sektorë të ndryshëm për ta rindërtuar e riintegruar ekonominë e rajonit, ndërkohë duke i fuqizuar kredencialet e gjelbra, qëndrueshmërinë e konkurrencën e saj”- shtoi zyrtari i BERZh-it.